Lajme Shqip Saturday, 10 September 2011 08:42

Tiranë – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë OSBE-së Ian Kelly tha gjatë takimit të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, se pasojat e ngërçit politik në Shqipëri, pas zgjedhjeve lokale të majit, kanë penguar reformat që duhet të kryejë Shqipëria për të marë statusin e vendit kandidat në BE.

“Tashmë duhet punë e mëtejshme për të avancuar në aspiratat që ka Shqipëria për tu integruar në BE”. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara, përshëndesin vendimin e Partisë Socialiste për t’u kthyer në parlament, por Washingtoni i bën thirrje Partisë Socialiste të përbushë angazhimin e saj për një pjesëmarrje të plotë dhe aktive në parlament, si dhe i bën të njejtën thirrje koalicionit qeverisës të krijojë një klimë politike më gjithpërfshirëse.

Ambasadori amerikan, po ashtu theksoi se janë ndërmarrë disa hapa në drejtimin e duhur, përsai përket luftës ndaj korrupsionit në Shqipëri, si përputhja e legjislacionit shqiptar me atë ndërkombëtar për anti-korrupsionin, si dhe vendosja e sistemit elektronik të tenderimeve.

“Shqipëria” shtoi ai, “ka arritur përparime në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qënieve njerëzore”. “Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria’, tha ambasadori aamerikan, në OSBE, Ian Kelly, “kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe të dy vendet janë të angazhuara t’i forcojnë më tej lidhjet mes qeverive dhe popujve të tyre. Urojmë popullin shqiptar për arritjet e fundit dhe sidomos liberalizimin e vizave për vendet e zonës Schengen në Dhjetor të vitit 2010”.

Sipas ambasadorit Kelly, “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri luan një rol të rëndësishëm në promovimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor dhe në mënyrë të qartë shërben si një platformë për dialog ndërmjet partive të ndryshme”.

“Me zgjedhjen e Presidentit në vitin 2012 dhe zgjedhjet parlamentare në vitin 2013, është e rëndësishme që OSBE të vazhdojë punën e saj të shkëlqyer në ndërtimin e kapaciteteve për institucionet demokratike, në promovimin e përfshirjes të shoqërisë civile dhe në ofrimin e mbështetjes për reformën zgjedhore”, u shpreh ai.

“Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të angazhuara për të ndihmuar Shqipërinë për të mbështetur një demokraci plotësisht funksionale”, përfundoi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë OSBE-së, Ian Kelly.