Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 11:27

Tiranë – Ambasadorja e Polonisë në Shqipëri, Irena Tatarzynska, vendi i së cilës e mbanë presidencën e radhës në BE, është shprehur në një intervistë për Radion “Deutsche Welle”, se “Shqipëria, ashtu si cilido vend aspirant për t’u anëtarësuar në BE, duhet të plotësojë një sërë kushtesh”.

Sipas saj, Polonia si vendi që me rotacion ka Presidencën e radhës së BE-së, ashtu si dhe vendet anëtare, gjithmonë kanë qënë në mbështetje të zgjerimit. Polonia do të bëjë gjithçka që strategjia e zgjerimit e BE të shkojë përpara në periudhën e Presidencës.

“”Me anëtarë të rinj, duke ju referuar dhe vendeve të Ballkanit Përendimor kur ato të kenë plotësuar kushtet, BE-ja do të ndjehet më e bashkuar dhe më e sigurtë, që nënkupton më e stabilizuar. Janë dy procese që ecin paralelisht. Së pari, angazhimi total dhe serioz në BE për të kaluar vështirësitë ekonomike dhe financiare, për të cilat po punojmë bashkarisht me programe dhe strategji konkrete. Së dyti, është çështja e zgjerimit të BE-së me anëtarë të rinj. Cilido vend aspirant duhet të tregojë sinjale pozitive në arritje dhe hapa konkretë që përmbush. Shoqëritë dhe qarqe të ndryshme në shtetet anëtare të BE-së duhet t’i ndjejnë këto sinjale e arritje, si të thuash t’i prekin këto reforma që bëhen në shtetet aspirante”, tha Tatarzynska.

Sipas saj, shanset që vendi të marrë statusin e kandidatit për BE janë tërësisht në dorën e shqiptarëve. “Dëshiroj që të fokusohem më shumë tek elementët pozitivë të procesit. Shikoni, Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, që është në procesin integrues për në BE në përpjekje për të plotësuar kushtet e nevojshme. Është një rregull i përgjithshëm për cilindo vend aspirant, që vlerësohet nëse do të jetë ose jo anëtar i BE-së vetëm në bazë të meritave. Kur do të përmbushen detyrimet? Kuptohet që kjo është në dorën e politikanëve shqiptarë dhe të qeverisë. Bashkimi Evropian dhe Presidenca Polake në mënyrë aktive dhe të pandërprerë janë në mbështetje të procesit integrues të Shqipërisë. Dhe ajo që pritet është plotësimi i kushteve që janë të qarta nga pala shqiptare, duke i shoqëruar angazhimet në deklarata e dokumente me rezultate konkrete dhe të prekshme. Pra kjo kërkon në radhë të parë përkushtimin e vendit aspirant’, ka theksuar ajo.

Tatarzynska shprehet se është koha për t’u fokusuar tek çështjet kyçe të integrimit. “Duhet ta them se pikërisht ngërçi politik mbetet një pengesë e madhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Mungesa e një dialogu mes palëve vijon qysh pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009. Shqipëria, ashtu si cilido vend aspirant për t’u anëtarësuar në BE më parë dhe tani, duhet të plotësojë një sërë kushtesh. Jashtë ose tutje plotësimit të këtyre kushteve nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të fituar statusin e vendit kandidat, apo më pas për t’u anëtarësuar me të drejta të plota në BE”, është shprehur ambasadorja polake në Tiranë.

Sipas saj, “tani që zgjedhjet lokale për Tiranën janë një kapitull i mbyllur, mendoj se është koha për t’u fokusuar tek çështjet kyçe të integrimit, për të bërë të mundur përgjigjen pozitive për 12 aspektet e indentifikuara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë. Gjykuar në aspektin teorik them se nuk ka asnjë vështirësi në arritjen e këtyre objektivave. Kjo për vetë ekzistencën e një klime mbështetjeje në shkallë të gjerë të opinionit të brendshëm shqiptar për procesin e integrimit në BE, por dhe sepse këtë proces partitë kryesore në vend e kanë shpallur prej kohësh si prioritetin e prioriteteve në progamet e tyre sa i takon pjesës për politikën e jashtme”.

Sipas Tatarzynskës, “zgjedhjet janë një faktor determinant në vendosjen e shtetit ligjor dhe të demokracisë. Çdo qytetari duhet t’i sigurohet e drejta e votimit, duhet t’i sigurohet zhvillimi i një procesi transparent dhe i ndershëm për palët. Në themel të këtij aspekti qëndron hartimi dhe miratimi i një kodi elektoral që garanton zgjedhje të lira dhe demokratike. Ju e kujtoni besoj se ekipi i vëzhguesve ndërkombëtarë që udhëhiqet nga OSBE/ODIHR-i qysh në përfundim të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 shpalli një sërë rekomandimesh të nevojshme dhe të domosdoshme që përmirësonin procesin dhe mënjanonin pjesë a momente të diskutueshme e të kontestueshme nga palët. Për fat të keq kjo reformë nuk u arrit të bëhej para se të zhvilloheshin zgjedhjet lokale të këtij viti. Për zgjedhjet lokale ne ende nuk kemi një raport final nga OSBE/ODIHR-I”.

“Në mënyrë të qartë nga komuniteti ndërkombëtar është apeluar disa herë që përmirësimi i kodit të bëhet në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Këto qëndrime tregojnë qartë për rëndësinë që ka realizimi i reformës zgjedhore në Shqipëri”, përfundon ambasadorja e Polonisë në Shqipëri, Irena Tatarzynska.