Lajme Shqip Monday, 09 July 2012 14:00

Prishtinë – Jakup Krasniqi-aktorët e marrëveshjes për presidenten, duhet ta gjejnë rrugën për të dalë nga situata që është krijuar.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nuk ka dashur të komentoj shumë rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e Presidentes së Kosovës. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Krasniqi tha se për këtë çështje duhet pyetur aktorët e marrëveshjes. “Sa i përket pjesës së marrëveshjes mendoj se është mirë t`i pyetni aktorët e marrëveshjes dhe mendoj se ata duhet ta gjejnë rrugën për të dalë nga situata që është krijuar. Unë kam thënë që në fillim se marrëveshja ka qenë jo kushtetuese”.

 E, në anën tjetër partitë opozitare kanë mendime të ndryshme lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ismet Beqiri nga LDK-ja, parti kjo e cila ishte pjesë e marrëveshjes për zgjedhjes e presidentes, tha se vendimi i Gjykatës po e rrezikon në masë të madhe reformën kushtetuese në Kosovë.

Ndryshe nga Beqiri i LDK-së, mendon Ardian Gjini nga AAK-ja. Sipas tij, vendimi i Gjykatës duhet të respektohet.

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është vendosur që më 12 korrik të mbahet seanca e radhës ku pritet të miratohet ligji për Buxhetin e Kosovës. Gjithashtu, do të ketë edhe interpelancë të ministres Mimoza Kusari Lila lidhur me tarifën e çimentos nga Shqipëria. (LajmeShqip.com)