Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 15:49

Prishtinë – Ministri Bajram Rexhepi mori pasaportën e parë biometrike të Kosovës.

Ministri kosovar i Punëve të Brendshme qëndroi në Vjenë të Austrisë, ku mori pjesë në ceremoninë e fillimit të prodhimit të pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës. Në këtë ceremoni, drejtuesit e kompanisë austriake OESD, i dorëzuan ministrit Rexhepi edhe zyrtarisht pasaportën e parë biometrike, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

Prodhimi i pasaportave, thuhet në kumtesë, do të bëhet në Austri, ndërsa personalizmi i pasaportave biometrike do të bëhet në Departamentin për Prodhimin e Dokumenteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Qytetarët e Republikës së Kosovës do të kenë mundësi që të pajisen me pasaporta biometrike që nga muaji tetor i këtij viti. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi me këtë rast tha se, me fillimin e prodhimit të pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës, është bërë edhe një hap tjetër në përmbushjen e obligimeve që ka Kosova në rrugën e saj evropiane, në procesin e Liberalizmit të Vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ministri Rexhepi siguroi se këto pasaporta janë të nivelit më të lartë dhe përmbajnë elementet më të sofistikuara sa i përket sigurisë së tyre dhe se janë të njëjta, si të gjitha pasaportat biometrike të shteteve të BE-së.

Sipas kumtesës, Ministria e Punëve të Brendshme ka paraparë, që brenda 3 viteve të prodhohen më tepër se 1 milion e 300 mijë pasaporta biometrike, që do të jenë të mjaftueshme, që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të pajisen me këto dokumente. (LajmeShqip.com)