Lajme Shqip Saturday, 24 March 2012 17:57

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e vlerësoi si projektin e Kosovës evropiane, autostradën Vermicë-Prishtinë-Merdarë, e cila po ndërtohet në vazhdim të Rrugës së Kombit në Shqipëri.

Gjatë inspektimeve të punimeve të shtunën Thaçi u njoh me ecurinë e autostradës në segmentin e pestë në rajonin e Malishevës, nga konsorciumi Bechtel-Enka.

Kryeministri Thaçi u ndal edhe në historinë e kësaj date, ku 13 vite më parë filluan bombardimet e NATO-s kundër caqeve të forcave serbe në Kosovë.

“13 vite më parë ne përjetonim një rrethanë të mbijetesës si vend dhe popull, por e mbijetuam dhe fituam atë betejë. Përjetuam gjenocid dhe deportim të paparë të qytetarëve të Kosovës nga policia dhe ushtria serbe. Sot secili kujton se ku ishim para 13 vitesh dhe ku jemi”, theksoi Thaçi.

Kryeministri kosovar Thaçi tha se ky projekt madhështor dhe modern i Rrugës së Kombit është projekt i rrugës së integrimit euroatlantik.

“Popunohet në segmentin e pestë prej 22 kilometrash, i cili pritet të përfundojë në nëntor të këtij viti. Ky është projekt i rritjes së mirëqenies sociale, hapjes së vendeve të reja të punës dhe është projekti i Kosovës së re, Kosovës evropiane”, theksoi ai.

Në 12 nëntorin e vitit të kaluar, me pjesëmarrjen e kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe kryeministrit kosovar Hashim Thaçi, në Vërmicë, afër kufirit me Shqipërinë, u zhvillua ceremonia e hapjes së 38 kilometrave të para të autostradës së Kosovës, në vazhdimin e Rrugës së Kombit.

Përurimi i një pjese tjetër të autostradës i paralajmëruar për në nëntorin e këtij viti vjen edhe me festën e gjithë kombit, Ditën e jubileut të madh të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.