Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 09:20

Tiranë – Të paktën 1 milionë euro, do të adresohen për praktikën  profesionale të studentëve pas mbarimit të shkollës.

Kryebashkiaku Lulzim Basha, bëri të ditur sot vendimin për t’u mundësuar studentëve stazh me pagesë në Bashkinë e Tiranës, duke filluar nga java e parë e Janarit.

I pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së “Medaljeve të Arit” dhe “Student i Shkëlqyer” për 84 studentë të Universitetit të Tiranës, Basha i premtoi studentëve të shkëlqyer mundësi për praktikë profesionale.

“Pas dy javësh Këshilli Bashkiak do të miratojë propozimin tim, për buxhetin e vitit 2012, ku Bashkia e Tiranës do të ngrejë një fond për praktikën e studentëve pas mbarimit të shkollës. Ky fond do të jetë nga burimet tona, të paktën 1 milionë euro, por unë pres me besim se kjo shumë do të dyfishohet dhe trefishohet nga pjesëmarrja e institucioneve të tjera. Praktika, siç kam premtuar, do të jetë stacion kalimi drejt punësimit të profesionistëve të rinj që dalin nga auditorët e universiteteve”.

Basha i tregoi studentëve se është në proces përgatitja e kartës së studentit, për të cilën ftoi rektorët e universiteteve të Tiranës që të sjellin listat e studentëve që do të përfitojnë nga kjo kartë privilegjesh.

Për të lehtësuar qarkullimin në jetën e përditshme të studentëve, linja e re e transportit urban nga qendra drejt Qytetit Studenti, është një projekt që Bashkia do të realizojë nga janari.

Dita e ekselencës përkoi dhe me një ditë të veçantë në historinë tonë dhe historinë e studentëve në veçanti.

21 vite më parë, tha Basha, pikërisht në ish- Kinoklubin e Qytetit Studenti, “nisi jetësimi i ëndrrës për t’i dhënë fund diktaturës më të egër në Evropë dhe për të instaluar në vend sistemin demokratik pluralist. Kryebashkiaku tha se si atëherë, ashtu edhe sot, ky mbetet vendi nga nisi rrugëtimi, shpresa, dhe e ardhmja e qytetit tonë, shoqërisë sonë dhe kombit tonë”.