Prishtinë-Kreu i LDD-së Nexhat Daci deklaron se do të kandidojë për president të Kosovës dhe thotë se beson se është njeriu i duhur për këtë post.
Në një intervistë për gazetën “Express” ai ka folur edhe për largimin e disa anëtarëve nga rradhët e LDD-së.
Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës me politikën aktuale po bën vetëvrasje. Nuk i ka harruar as rivalët e dikurshëm, Fatmir Sejdiun, Eqrem Kryeziun e Kolë Berishën, të cilët i cilëson si lugetër dhe vampirë.
Ndërkaq, Daci foli edhe për largimin e anëtarëve nga LDD-ja, duke thënë se nuk e di arsyen se përse po largohen ata.
“Nuk është e lehtë të thuhet me një fjalë se pse po largohen. E vërteta e madhe është se të gjithë ata që janë larguar, janë rritur me LDK-në, shtatëmbëdhjetë vjet kemi qenë në një shtëpi, në një shtëpi të madhe dhe të mirë, të udhëhequr nga Presidenti Rugova”-thotë Daci.
Sipas tij, fatkeqësisht, një pjesë e madhe e strukturave lokale të LDD-së kanë mbetur të ndershëm ndaj asaj që e kanë cilësuar shtëpi.
“Dhe, kur ta shndërrosh atë të ndershëm në rrethanat e sotme, LDK-ja e sotme po bën harakiri”, vijon më tej kreu i LDD-së.
Kjo sipas Dacit, i bie që LDK-ja nuk po mundet në asnjë mënyrë të akomodohet në opozitë, si lider i opozitës, për mungesë të guximit politik.
“Edhe për faktin se ato struktura që e përçan ose e shkatërruan atë shtëpi të madhe më 2006, po e luajnë vallen me vampira, po e luajnë dansin e lugetërve. Tash, ata që po shkojnë, po e përdorin parullën ‘të shkojmë në LDK e se ashtu e mundim Thaçin’. Prandaj, në një vakum ose errësirë të këtillë, po mundohen lugetërit të ngjallen”, tha ndër të tjera Daci.