Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 17:36

Prishtinë – Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, u takua sot në New York me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Burime zyrtare nga MPJ bëjnë të ditur se në këtë takim ministri Hoxhaj ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për shtetndërtimin e suksesshëm të Kosovës.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka përgëzuar ministrin Hoxhaj për progresin e Kosovës në vitet e fundit.

“Unë mbështes zhvillimet pozitive në Kosovë”, ka thënë Ki-moon. Ministri Hoxhaj po ashtu ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm për zgjedhjet e fundit dhe krijimin e një Qeveri shumetnike dhe profesionale.

“Pavarësia e Kosovës ka prodhuar paqe dhe stabilitet në rajon. Në tri vjetët e fundit Republika e Kosovës ka implementuar pakon e presidentit Ahtisarit, i cili ka qenë i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm, si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Në këtë takim, ministri Hoxhaj ka ngritur edhe çështjen e veriut të Kosovës. “Atje ka nevojë për sundim të ligjit dhe shpërbërjen e menjëhershme të strukturave paralele të Serbisë. Institucionet paralele të Serbisë, që vazhdojnë aktivitetet e tyre në disa pjesë të Kosovës, janë ilegale edhe sipas vendimeve të vet Këshillit të Sigurimit”, ka ritheksuar Hoxhaj.

Në këtë takim u diskutua edhe për mundësinë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në institucione politike, financiare, kulturore dhe sportive ndërkombëtare, për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, për sfidat që ka në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe për rrugën që po bënë në procesin e integrimeve evropiane.

Ministri Hoxhaj ka theksuar synimet e Republikës së Kosovës për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.