Lajme Shqip Saturday, 30 July 2011 14:11

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përgatitur gjithë infrastrukturën e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të pjesëshme që do të zhvillohen të dielën në 9 komuna të vendit.
Sipas vendimit të miratuar nga KQZ, nesër zgjedhësit e komunave Shllak dhe Shalë (Qarku Shkodër), të komunave Pishaj dhe Papër (Qarku Elbasan), komuna Mollas (Qarku Korçë), komuna Kolsh (Qarku Lezhë), komuna Armen dhe Finiq (Qarku Vlorë), komuna Qendër Skrapar (Qarku Berat) dhe komuna Zall Dardhë (Qarku Dibër), do të votojnë për kandiatët për kryetar komune dhe për këshillin e komunës.
Në dy komuna, Shllak dhe Shalë, nuk u zhvilluan zgjedhjet më 8 maj, ndërsa në 7 njësitë e tjera vendore u vërejtën parregullsi dhe KQZ vendosi përsëritjen e procesit zgjedhor. Është rreth 36 mijë numri i votuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë proces të pjesshëm zgjedhor, ndërsa janë ngritur 102 qendra votimi.   
Në një prononcim për mediat zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, thotë se nga Komisioni Qendror janë marrë të gjitha masat për mbajtjen e një procesi të rregullt. 
“Edhe pse kemi një shtrirje gjeografike nga Veriu në Jug të njësive ku do zhvillohen zgjedhjet, KQZ po vijon normalisht punën për shpërndarjen e bazës materiale zgjedhore pranë 9 KZAZ-ve, ndërsa nga subjektet politike nuk kemi pasur asnjë shqetësim në ngritjen e tyre”, tha zëdhënësi Olli.
Ai apeloi në adresë të subjekteve politike që komisionerët e tyre të jenë prezentë në të gjitha seancat e trajnimit dhe të sjellin në kohë anëtarët e grupeve të numërimit të votave, që të kenë mundësi të trajnohen, pasi sipas tij, është vënë re se problematikat më të mëdha vijnë në procesin e numërimit të votave, pasi anëtarët e GNV-ve nuk janë njohës të mirë të procedurës dhe kodit zgjedhor në raport me detyrat që ata kanë.
Zëdhënësi Olli bëri të ditur se duke përfshirë dhe kërkesat e mundshme ankimore pas zgjedhjeve të pjesshme të ditës së nesërme, i gjithë procesi zgjedhor i 8 majit do të mund të përfundojë nga mesi i muajit gusht dhe në këtë periudhë do të mund të përcillen dhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 8 majit.
Në funksion të zhvillimit pa probleme të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 31 korrikut pak ditë më parë Prezenca e OSBE-së në Tiranë mbështeti KQZ-në me pajisje në fushën e telekomunikacioneve.