Lajme Shqip Sunday, 30 October 2011 16:37

Tiranë – E hëna e 31 tetorit, do të shënojë zyrtarisht përfundimin e procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave në të gjithë territorin e Shqipërisë nga Instituti i Statistikave.

Një javë më parë, drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, deklaroi në një konferencë për shtyp, se “CENSUSI 2011″ do të vazhdojë deri në fund të muajit tetor, pasi ky proces me ligj është parashikuar të zhvillohet për 4 javë”.     

Censusi i popullsisë dhe banesave, i cili filloi në datën 1 tetor, është një imazh statistikor që tregon, përmes të dhënave, kush jeton në Shqipëri, kushtet socio- ekonomike dhe kushtet e jetesës. Ai jep një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri, sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë.

Të dhënat e Censusit do të sigurojnë këtë informacion dhe do të ndihmojnë autoritetet përgjegjëse të planifikojnë mbi baza reale dhe të hartojnë politika për nevojat konkrete në fushat e shëndetësisë, edukimit, punësimit, infrastrukturës etj. Për më tepër të dhënat e Censusit mundësojnë krahasimin midis qyteteve dhe zonave, kështu që institucionet ndërkombëtare dhe shqiptare mund të ndjekin me lehtësi zhvillimet dhe të planifikojnë aktivitetet e tyre më me saktësi.

Këto të dhëna do të përdoren nga qeveritë në nivel kombëtar dhe lokal, bizneset, institucionet kërkimore dhe akademike, agjencitë zyrtare statistikore, shoqëritë civile, individët, partnerët rajonalë, Bashkimi Evropian, organizatat ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, OSBE, organizata te Kombeve te Bashkuara si UNFPA, UNICEF, etj.

Ligji për Censusin garanton mbrojtjen e të dhënave dhe konfidencialitetin e të dhënave personale. I gjithë informacioni i mbledhur do të jetë konfidencial dhe do të shërbejë vetëm për të nxjerrë të dhënat zyrtare të Censusit dhe statistikat e tij.

Rreth 200 shtete në të gjithë botën realizojnë Censuse të rregullta. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian inkurajojnë të gjitha shtetet që të mbledhin informacione të tipit të Censusit. Censuset janë zakonisht të realizuara në intervale 10 vjeçarë në data të përafërta me shtete të tjera të botës. Kjo garanton që krahasimi i të dhënave midis shteteve të jetë i mundshëm dhe i besueshëm.

Censusi numëron njerëzit që jetojnë në Shqipëri, përfshirë rezidentët e huaj, të gjithë që kanë qëndruar minimumi 1 vit, ose me qëllim për të qëndruar të paktën një vit. Vetëm diplomatët nuk do të numërohen.

Për këtë proces masiv në terren janë printuar 40 milion faqe materiale censusi dhe po punojnë 12 mijë anketues, 2 330 kontrollorë, 128 mbikqyrës 36 kordinatorë lokalë. Aktualisht në të gjithë Shqipërinë janë 374 zyra censusi dhe 11 në Tiranë që punojnë çdo ditë pa ndërprerje, të aftë për të zgjidhur çdo situatë në terren. I gjithë procesi kushton 14 milione euro.

Gjatë komunikimeve publike, INSTAT ka bërë të ditur se procesi po ecën normalisht në të gjithë territorin.