Lajme Shqip Sunday, 11 September 2011 12:11

Tiranë – Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini dhe ai grek, Stavros Lambrinidis, pritet të vizitojnë Tiranën, më 12 shtator, në një mision të përbashkët të koordinuar me Brukselin.

Synimi i vizitës së zyrtarëve të lartë mësohet të jetë nxitja e dialogut në vend dhe përshpejtimit të reformave të nevojshmë për pëparimin e vendit në procesin e integrimit.

Gjatë vizitës së tyre në Shqipëri, dy ministrat e Jashtëm do të shoqërohen gjatë takimeve të tyre në Tiranë nga ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian, Ettore Sequi.

Ministrat pritet që në orën 10:15 të zhvillojë një takim me ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, ndërkohë menjëherë pas këtij takimi minstrat do i drejtohen Kryeministrisë rreth orës 10:45, ku do të zhvillojnë një takim me kreun e Qeverisë, Sali Berisha.

Vizita me presindentin e vendit Bamir Topi është lënë për në orën 12:15, ndërkohë që Fratini dhe Lambrinidis do të takohen rreth orës 12:50 me kreun e opozitës Edi Rama, në zyrat e elegacionit Evropian në Shqipëri.

Më pas dy ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë, së bashku me kreun e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, do të zhvillojnë një konferencë për shtyp, ku do të shprehin konkluzionet e tyre rreth kësaj vizite.

Misioni në Tiranë vjen në një moment kur Shqipëria do të duhet të kalojë një tjetër provë të Brukselit. Në muajin tetor, Komisioni Europian, pritet të publikojë raportin e tij të vlerësimit mbi ecurinë e vendit si dhe të japë opinionin mbi kërkesën për statusin e vendit kandidat.

Vlerësimi që do të marrë Shqipëria nga Komisioni Evropian është i kushtëzuar me plotësimin e 12 prioriteteve. Elementi i bashkëpunimit politik është një nga ato elementë, ose shtylla mbi të cilat bazohet vlerësimi për Shqipërinë. Krahas 12 rekomandimeve, vëmendje duhet t’i kushtohet edhe disa drejtimeve themelore që lidhen drejtpërdrejt me rritjen e shkallës së zbatimit të ligjit.

12 rekomandimet e KE për Shqipërinë lidhen me funksionimin e duhur të Kuvendit, miratimin e ligjeve të mbetura me shumicë të cilësuar, garantimi i një procesi të rregullt votimi për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, ndryshimin e Kodit Elektoral, garantimin e standardeve në zgjedhje, depolitizimin e administratës publike, reformimin e gjyqësorit, garantimi i të drejtës mbi pronën, zbatimi i strategjisë kundër korrupsionit, gjurmë konkrete për luftën ndaj krimit të organizuar, politikat kundër diskriminimit, kryesisht ndaj grave e minoritetit rom dhe përmirësimi i kushteve për të dënuarit e të burgosurit.