Lajme Shqip Tuesday, 11 March 2014 15:42

Ministria e Brendshme ishte kthyer në një “strehë të ngrohtë” për familjarët e ish-funksionarëve të lartë të saj gjatë kohës së qeverisë “Berisha”. Një fakt i tillë është denoncuar dje në Kuvend nga kryeministri Rama, por “Shqiptarja.com” ka zbardhur detaje të përmasave të këtij skandali, duke siguruar një listë me emërimet më flagrante të të afërmve të ish-krerëve të Ministrisë së Brendshme

 
Kryeministri Rama në interpelancën e djeshme publikoi disa skandale që janë bërë në Ministrin e Brendshme, përsa i përket personave të punësuar. Duke iu përgjigjur kërkesës së ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli përsa i përket rendit dhe sigurisë në vend, kreu i ekzekutivit theksoi si rastin më flagrant të shkeljes së ligjit punësimin e dy vëllezërve të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë. Krahas kësaj, Rama theksoi gjithashtu se siguria dhe rendi në Shqipëri është në situatë të rëndë, por është më mirë përsa i përket të njëjtës periudhë të një viti më parë, në kohën kur në pushtet ishte qeveria e Sali Berishës.

Konkretisht duke iu referuar rasteve të shpërthimit të tritolit, kryeministri Edi Rama theksoi se nga periudha e mesit të muajit shtator, kohë në të cilën kur ai u vendos në krye të vendit dhe deri në fund të muajit shkurt janë ulur me rreth 30% shpërthimet duke shtuar se situata është sërish në gjendje jo të mirë. Por ajo që mbeti më pikante ishte publikimi i të dhënave nga rekrutimet e bëra në Ministrin e Brendshme dhe në radhët e Policisë, ku kreu i qeverisë tha se 70% e forcave të policisë së shtetit ishin me arsim të mesëm dhe ata që kishin kryer arsim të lartë kishin përfunduar degë si Fizkulturë apo Veterineri.

“Në godinën e Ministrisë së Brendshme 44 persona që drejtpërdrejt ishin anëtarë të forumeve të Partisë Demokratike dhe kishin lidhje gjaku me shtatmadhërinë tuaj kanë marrë rrogën vetëm për këtë meritë. Nuk po vazhdoj listën e drejtuesve të policisë pa arsimin përkatës, me studime veterinare. Ju i bëtë veterinerët drejtues policie, me shkollën e fizkulturës. 70% e policiëve tuaj ishin me shkollë të mesme”, tha Rama.

Të punësuarit
Kreu i qeverisë foli vetëm në përgjithësi për emërimet nepotike, por “Shqiptarja.com” ka siguruar një listë me emërimet më flagrante të të afërmve të ish-krerëve të Ministrisë së Brendshme në këtë dikaster. Në listë, figuron nipi i bashkëshortes së ish-ministrit të Brendshëm Flamur Noka. Ky i fundit ka emëruar Gentian Jahollin Drejtor në kohën që ishte vetë në krye të Ministrisë së Brendshme.

Jaholli dha dorëheqjen në shkurt të vitit 2014. Gjithashtu Noka emëroi si koordinatore tek prokurimet të afërmen e tij Agrimona Noka e cila vazhdon ende të mbaje këtë detyrë. Genta Bektashi, motra e deputetit të Partisë Demokratike, Astrit Patozi u emërua si drejtoreshë në Ministrinë e Brendshme dhe aktualisht vazhdon punë në këtë institucion si specialiste. Listën e kryeson Isuf Çela, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, i cili ka emëruar shtatë të afërm në këtë institucion, tre prej të cilëve janë ende në krye të detyrës. Ai ka emëruar, dy kunetërit, nipin e gruas, mbesën e gruas si dhe dy të afërm.