Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 10:15

Pejë – Konferenca e Parë Rajonale e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të rajonit, përfundoi punimet e djeshme në qytetin e Pejës në Kosovë, me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët.

Në tekstin e deklaratës pjesëmarrësit u fokusuan në afirmimin e qëllimeve të tyre për të arritur bashkëpunimin në nivel bilateral, rajonal dhe Euro-Atlantik, në fushën e sigurisë si edhe në fushën e përgjigjes ndaj emergjencave civile.

Në këtë konferencë u prezantuan delegacionet e vendeve të rajonit të prirë nga ministrat e Mbrojtjes Arben Imami, nga Republika e Shqipërisë, Fatmir Besimi, nga Republika e Maqedonisë, po ashtu zv/ministri Pjer Simunoviç nga Republika e Kroacisë, zv/ministri i Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi, Rajko Noviqeviç, drejtori gjeneral i Mbrojtjes Primoz Shavc nga Republika e Sllovenisë, si edhe Rear Admiral Mark Montgomery i Komandës së Bashkuar të SHBA-ve për Evropë.

Mikpritës i Konferencës ishte Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku. Në këtë konferencë u  diskutuan tema nga kooperimi rajonal, integrimet dhe zhvillimi i kapaciteteve, si edhe u zhvilluan disa takime bilaterale.

Në mëngjes, në seancën e parë të Konferencës së Ministrave të Mbrojtjes së Vendeve të Rajonit mbajtën fjalime  përshëndetëse presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, duke e vlerësuar si sinjal dhe mesazh për paqe dhe stabilitet.