Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 10:16

Tiranë-Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Shqipëri, Kreshnik Spahiu ka dhënë sot dorëheqjen nga posti që mbante prej më shumë se 3 vjetësh.

Spahiu njoftoi dorëheqjen e tij në një prononcim të drejtpërdrejtë për mediat, duke thënë se shkak për vendimin e tij janë presionet e vazhdueshme të pushtetit, që kanë nisur që në vitin 2008.

“Jam sot para jush për të deklaruar se jo më larg se 3 vjet e gjysmë më parë, në korrik 2008-ës nisi udhën një konflikt i qeverisë me KLD-në. Prej 3 vitesh u bllokua reforma në drejtësi”. –tha Spahiu.

Spahiu shtoi se kjo nuk është lufta e tij personale, pasi e kishte zgjedhur të ardhmen dhe largimin nga posti i nënkryetarit të KLD-së.

Ai deklaroi më tej se kjo çështje do të hetohet nga Gjykata Kushtetuese dhe se vetë ai “largohet nga detyra për t’i hapur rrugë një vendimi të paanshëm”. “Edhe nëse ky vendim do jetë në favorin tim, nuk do të kthehem më në këtë post”, tha Spahiu më tej.

Spahiu akuzoi kryeministrin Berisha për ndërhyrje të pushtetit në drejtësi, duke thënë se ata që e kanë sulmuar prej 3 vjet e gjysmë kanë frikë të lënë karrigen e pushtetit. “Ata kanë frikë nga rruga, nga qyteti dhe publiku, dhe po kacavirren pas karriges së pushtetit, sepse ata mendojnë se do të vdesin në pushtet”-tha Spahiu. (LajmeShqip.com)