Lajme Shqip Thursday, 30 August 2012 14:05

PRISHTINË- Një dokument diplomatik perëndimor nga Beogradi i shkruar me gjuhë të përafërt me atë të kabllogrameve amerikane, verifikon mos sinqeritetin e shteteve të Quintit që një kohë të gjatë kanë kërkuar nga Prishtina dialog vetëm me “qytetarin e veriut” të Kosovës.

Dokumenti që daton nga koha kur pushtetin në Serbi e kishte Boris Tadic, flet për dëshirën e pranuar të Beogradit për negociata sekrete me Prishtinën, krahas dialogut teknik. Përgjatë këtyre negociatave, përmes një vendimi administrativ do krijohej territori i veçantë i quajtur “Veriu i Kosovës”, shkruan “Zëri”. 

Ndonëse nuk përdoret askund termi autonomi për veriun, një prej pikave thotë: “Të drejta të zgjeruara dhe status për serbët që jetojnë në komunat e veriut të Kosovës, ku serbët përbëjnë shumicën, duke e krijuar (përmes një vendimi administrativ) një rajon të vetëm të quajtur Veriu i Kosovës, me të drejta të veçanta të përfaqësimit”. 

Javën e kaluar “Zëri” ka raportuar për një lobim të fuqishëm që Beogradi po e bën te amerikanët, gjermanët dhe britanikët duke kërkuar të drejtën për serbët e veriut të Kosovës që përmes zgjedhjeve të kenë parlamentin e tyre me të drejta ekzekutive. Që të gjitha këto dhe shumë kërkesa të tjera, dokumenti i siguruar nga “Zëri” thotë se janë planifikuar që të arrihen para zgjedhjeve të prillit të mbajtura në Serbi, përmes “diskutimeve diskrete” . 

Ish- diplomati amerikan, Daniel Serwer, para pak ditësh i ka thënë gazetës se ai ka indikacione që marrëveshjet do të arrihen para se palët të takohen publikisht. Sipas Serwer, takimi i liderëve apo palëve në përgjithësi do ketë rëndësi për simbolikën që përfaqëson ai shtrëngim i duarve, por jo për të arritur marrëveshjet. 

Dokumenti, që sipas informacioneve të gazetës ka rrjedhur tashmë nga diplomacia perëndimore në Beograd te zyrat e qeverisë në Prishtinë, thotë saktësisht kështu: “Paralelisht dhe ndaras nga dialogu aktual i lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, Beogradi do të ishte i gatshëm që të shqyrtonte mundësinë e diskutimeve diskrete për një zgjidhje të përgjithshme të marrëdhënieve me Prishtinën dhe të cilat do të fillonin menjëherë dhe potencialisht do të përfundonin në pranverë të vitit 2012”. (LajmeShqip.com)