Lajme Shqip Sunday, 03 November 2013 12:09

Mitrovicë- Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në veri, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë në veri është kryesisht e qetë. Megjithatë, ai bëri të ditur se në tri lokacione në afërsi të qendrave të votimit, disa qytetarë janë duke bërë thirrje për të bojkotuar procesin e votimit.

“Së paku në tri lokacione të ndryshme të qendrave të votimit kemi grupe të qytetarëve, të cilët thërrasin për bojkotim të këtyre zgjedhjeve. Këta persona po qëndrojnë në një distancë më të largët nga qendrat e votimit dhe nuk kemi të bëjmë me bllokim të hyrjeve drejtpërdrejt me qendrat e votimit, por vetëm me shprehje të pakënaqësisë së tyre me këtë aspekt të votimit. Thjesht, ata thërrasin njerëzit për bojkotim të këtyre zgjedhjeve”, tha Hoti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, janë hapur qendrat e votimit.

Ndërkohë, zëdhënësi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Nikolla Gaon, ka thënë se në veri të Kosovës janë hapur të gjitha vendvotimet, pos njërit.
Ai ka thënë se tash për tash nuk ka asnjë problem apo incident.
“Nga 94 vendvotime, 93 janë hapur. Vetëm një nuk është hapur, pasi atje nuk janë shfaqur anëtarët e komisionit. Zëvendësimi i tyre është në rrugë e sipër”, ka thënë Gaon për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
OSBE po lehtëson zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.