Lajme Shqip Saturday, 12 October 2013 11:19

Tiranë-Zv/ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, e ka pranuar pa hezitim detyrën që iu ofrua nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja Mimi Kodheli. Ai thotë në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se, puna që e pret ministren dhe ata si drejtues të rinj fillon që nga gjetja e parave, “pasi arka është lënë trokë, pastaj te rikonceptimi i strukturave, të cilat u frynë tre muaj para zgjedhjeve dhe tre më pas”. 

Z.Hila, si ju erdhi propozimi për të marrë detyrën e zv/ministrit të Mbrojtjes. A e prisnit dhe a ishte e menjëhershme përgjigja juaj pozitive për ta pranuar? 
Propozimi më erdhi në rrugë normale. Ministrja, znj.Kodheli, më ftoi në zyrë për një takim, i cili ishte takim ndërmjet dy personave që kanë stimë reciproke. Unë për znj.Kodheli, si përfaqësuese dinjitoze e grave në politikë dhe njeri me integritet. Ajo për mua, si diplomat dhe gazetar. E të dy bashkë, si njerëz që besojnë tek rruga e majtë, e cila do ta çojë vendin drejt prosperitetit ekonomik, shoqërie humane dhe shteti me fytyrë njerëzore. Më kërkoi të mbuloja detyrën e zv/ministrit të Mbrojtjes, me drejtim marrëdhëniet me NATO, BE dhe ato ndërkombëtare të ushtrisë shqiptare. Nuk pata hezitim ta pranoja. Nuk kisha pse ta kundërshtoja, pasi kam qenë diplomat që kam kundërshtuar iniciativat e qeverisë “Berisha”, të cilat shpeshherë vinin erë tradhtie kombëtare. Unë si njeri politik besoj se njerëzit duhet të jenë qenie aktive dhe të punojnë për përmirësimin e vetes dhe vendit. Ky ishte një shans që kryeministri Rama dhe ministrja Kodheli ma dhanë dhe unë nuk kisha arsye ta refuzoja. 

Cila është problematika më urgjentë që ju si drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes duhet t’i jepni zgjidhje (e kam fjalën së bashku me ministren Mimi Kodheli). Megjithëse ka pak ditë që ju morët emërimin, a keni bërë një listë prioritetesh për këtë dikaster? 
Do t’i lejoj vetes të flas si gazetar dhe filloj me një retrospektivë: E kujtoni kur Berisha, me entuziazëm koreano-verior, privatizoi makinat e ministrive për llogari të mbajtësve të tyre me çmime qesharake? A thua se këta do të ishin qeveritarët e fundit të Shqipërisë! Ishte koha që sokëllinte ekraneve për vaskat e florinjta, ishte koha kur thoshte se montoi kompjutera në sallën e qeverisë që të kursente letrën, kur çdo punonjës administrate e di se materialet qeveritare duhet të jenë patjetër edhe në letër. Ndërkohë, i biri i tij përgatiste pjekjen në barut të 26 shqiptarëve. Sot që bisedojmë, aparati i Ministrisë së Mbrojtjes ka disa makina rrangalle nga koha kur z.Majko ishte kryeministër dhe nja dy të telendisura në ditë të hallit nga Arben Imami në fushatën e fundit. Në serbatorët e ushtrisë nuk ka një litër benzinë, në kuptimin jo figurativ të fjalës, pasi u bë tym në fushatë elektorale. Kaq mjafton për të krijuar një perceptim se në çfarë derexheje e ka lënë shtetin Berisha. Sa i takon punës që ka përpara ministrja Kodheli, fillon që nga gjetja e parave, pasi arka është lënë trokë; pastaj te rikonceptimi i strukturave, të cilat u frynë tre muaj para zgjedhjeve dhe tre më pas, për efekte elektorale dhe klienteliste. Ajo t’iu japë dinjitetin dhe krijojë besimin ushtarakëve se në korridoret e ministrisë nuk do të vërdallisen fëmijët e kryeministrave për t’i terrorizuar të hedhin firma që mbjellin vdekjen dhe këta ushtarakë të përfundojnë më pas syrgjyn. Siç edhe e përmenda më lart, objektivi i punës sime, pak ka të bëjë me çështjet e administrimit të përditshëm të armatës shqiptare. Por di se znj.Kodheli ka një punë titanike përpara, që fillon nga vogëlsirat e përditshme, deri në ato strategjike. Ajo vetë është një ekonomiste e aftë dhe stafi që ka përzgjedhur nuk ka të sharë. Kanë vizionin dhe përkushtimin. U duhet mund, para dhe pak fat që të arrijnë objektivat që qeveria i ka vënë vetes në sektorin e mbrojtjes. 

Për herë të parë në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes drejtohet nga një grua. Si ju duket një fakt i tillë? 
Përtej ekzotizmit të këtij fakti statistikor, prania e femrave në qeverisjen “Rama” është një shenjë e europianizmit të saj. Nuk hyj te personat që besojnë në lëvizjet feministe, duke caktuar kuota fiktive, apo promovimin e tyre për faktin e një ngatërrese kromozomesh. Që femrat të promovohen, duhet ta meritojnë dhe pastaj vjen pjesa kur ne burrat shfaqim xhelozinë tonë për pozicionin e privilegjuar, që kemi në hierarkinë shoqërore dhe bëhemi pengesë dhe është pikërisht kjo pjesë që duhet luftuar si një paragjykim. Në rastin e kësaj qeverie, mendoj se kryeministri u ka dhënë shans shumë grave të zonja që të tregojnë veten. Sa i takon pranisë së ministres Kodheli në dikasterin e Mbrojtjes, doja të përshtatja frazën e Klauzevitcit se “lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera”, në “ushtria është vazhdim i ekonomisë, por me uniformë”. Ushtria shqiptare, që të jetë e mirëstërvitur, mirarmatosur, mirëdislokuar, mirëpërfaqësuar, e shumë performanca të tjera, duhet të jetë në duart e një ekonomisti të mirë dhe politikani institucional. Znj.Kodheli është e tillë. Punët e luftës pastaj janë të Shtabit të Përgjithshëm dhe NATO-s. 

A është kjo intervistë e juaja një përjashtim, duke u nisur edhe nga fakti se një ndër aktet e para të qeverisë është “Kodi i Etikës”, që kufizon marrëdhëniet me publikun? 
Sa i takon “Kodit të Etikës”, nuk ka ndalesa që një anëtar i qeverisë të jetë prezent në shtyp. Është një problem i fryrë. Vetë kryeministri është njeri i penës, ndaj është pak si pa sens ajo që i veshin, se ka nxjerrë një urdhër që cenon lirinë mediatike. Në kod ndalohet një anëtar i kabinetit të jetë kundër politikës së qeverisë dhe më duket normale që një anëtar i saj, të mos i japë rremave në kah të kundërt me rremtarët e tjerë. Ndalohet të marrë honorare për intervistat, ose këto të shkojnë në favor të fondacioneve. Si dhe të mos publikojë të dhëna që përbëjnë sekret shtetëror. Të gjitha sa më sipër janë brenda filozofisë së lirisë së shprehjes, janë brenda konceptit që liria të mos rrëshqasë në anarki. Personalisht jam njeri që e kam fituar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar të drejtën e të shkruarit, me gjyqet që kam bërë me Ministrinë e Jashtme. 

Gjithashtu, dua të nënvizoj edhe një problem deontologjik, lidhur me profesionin e gazetarit. Është puritan ai që e cilëson gazetarinë në opozitë me pushtetin. Gazetaria ose është e majtë, ose është e djathtë. Personalisht deri dje kam qenë në opozitë me qeverinë e djathtë dhe e kam kritikuar. Sot e majta që unë militoj është në pushtet dhe është po ashtu normale që ta mbroj për reformat dhe ndërhyrjet e saj të drejta. Këtu nuk bëhet fjalë për propagandë qeveritare, por për një njeri që beson se çka po bëhet, është e drejtë.