Lajme Shqip Sunday, 11 August 2013 14:37

Tirane – Qeveria e re e emruar nga Kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka marrë pushimet e para dhe të fundit për këtë vit. Pas takimit të parë që ata patën me Ramën, një ditë pas bërjes publik të kabinetit të ardhshëm qeveritar, të gjithë ministrat janë nisur me pushime me familjet e tyre. Vetë Rama mësohet se pas kthimit nga Turqia dhe ndalesës në Athinë me Kryeministrin Samaras, është nisur jashtë shtetit me pushime për disa ditë me bashkëshorten e tij Linda, shkruan Ballkanweb. 

Po ashtu edhe ministrat e tij, një pjesë e të cilëve jashtë shtetit, vijojnë edhe javën e ardhshme pushimet për t’u kthyer në datën 20 gusht, ditë nga ku do të startojë intensivisht puna me secilën ministri. Pasi të marrin strukturën e ministrisë, ata do të paraqesin emrat konkretë të stafit politik, por dhe prioritetet që çdo ministri do të ketë, veçanërisht për 100 ditët e para. Ende nuk dihet se si do të zgjidhet vendosja e ministrive, një pjesë e të cilave rikompozohet, ndërsa të tjera do të kërkojnë godina të reja.

PROGRAMET
Çdo ministër do të dorëzojë propozimet e tij për dikasterin që do të drejtojë, bazuar në strukturën e re, gjendjen në të cilën ajo ndodhet dhe të gjitha këto do të përputhen me programin e emergjencës së hartuar nga grupi i punës i dy partive aleate, PS-LSI. Programi i 300 ditëve të para të qeverisjes së majtë i është dorëzuar tashmë Edi Ramës dhe Ilir Metës, dhe pritet që Kryeministri i zgjedhur ta bëjë publik para mbledhjes së Kuvendit në seancën e tij të parë. Grupi i punës i të dyja partive, PS dhe LSI, i drejtuar nga sekretari për Programin, Ilir Beqja dhe nënkryetari i LSI-së Edmond Haxhinasto, ka hartuar draftin që u është paraqitur dy kryetarëve të partive.

Pasi kanë punuar një numër jo i vogël ekspertësh të disa fushave, kryesisht ekonomike, drafti ka ardhur në një formë finale, por nuk përjashtohet dhe mundësia e ndonjë saktësimi në një konsultë më të gjerë mes dy partive. Mësohet se programi përfshin masa emergjente për stabilizimin e financave publike, rritjen e të ardhurave tatimore dhe doganore dhe uljen e informalitetit, duke detyruar të gjitha subjektet të shlyejnë detyrimet e tyre me shtetin.

Po ashtu dhe vendosja e rendit dhe sigurisë është prioritet i programit 300-ditor në të cilin janë përcaktuar masa të shpejta për të ringritur imazhin e Policisë së Shtetit. Pak ditë më parë, sekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, është shprehur se drafti i paraqitur përmban dhe masa emergjente për 100 ditët e para. “Në programin e 300 ditëve do të përfshihen masat e menjëhershme që do të realizohen brenda 100 ditëve, me përpjekjen për të rikthyer stabilitetin dhe normalitetin në disa sektorë, siç është edhe administrimi i financave publike, edhe territori, edhe rendi publik, edhe problemet e energjisë që janë gjithmonë presion mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, është shprehur Beqja.

Pas konsultimeve të para për këtë draft, të dyja partitë kishin rënë dakord sa i takon taksës progresive, ajo të hyjë në fuqi në një kohë të dytë, pasi të jetë siguruar më parë një stabilitet ekonomik dhe një rritje ekonomike. Beqja është shprehur se më 1 janar 2014 palët kanë rënë dakord se taksa për biznesin e vogël do të hiqet bashkë me TVSH-në për ilaçet.