Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 17:13

Prishtinë – Strukturat e shërbimeve serbe që kanë vepruar në veri nuk mund të inkuadrohen në AKI, pavarësisht marrëveshjes mes kryeministrave Thaçi e Daçiq, e cila parasheh integrimin e strukturave të sigurisë në veri në  institucione të Kosovës.

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së hedhin poshtë çdo mundësi që në AKI të ketë infiltrim të shërbimeve sekrete serbe. Kryetari i këtij komisioni, Florin Krasniqi, ka thënë se pjesëtarët e BIA-s nuk mund të jenë pjesë e AKI-së, transmeton KTV. 
Por, ka ironizuar duke thënë se ata mund të jenë agjentë të dyfishtë. Ndërkohë Bekim Haxhiu i PDK-së ka thënë se është absurde të mendohet që amnistia do të përfshijë edhe sektorin e sigurisë së BIA-s. Ai tha se asnjë agjenci e sigurimit apo e inteligjencës të vendeve të tjera nuk mund të punojë apo  të inkorporohet në AKI. 
Edhe Burim Ramadani i AAK-së është shprehur i bindur që asnjë agjent i shërbimit të Serbisë nuk do të jetë në strukturat e AKI-së. Në komisionin që mbikëqyr AKI-në ka raportuar Agron Selimaj, inspektor i përgjithshëm i AKI-së, por raportimi i tij ka qenë i mbyllur për media. 
Ndërkohë javën që vjen para këtij komisioni pritet të raportojë drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj, rreth asaj se çka po ndodh në bisedime, çka pret agjencia pas kësaj marrëveshjeje dhe pas integrimit të veriut.