Lajme Shqip Friday, 19 October 2012 22:22

Tiranë-Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Euroazinë, Philip Reeker, i bëri sot thirrje autoriteteve shqiptare që të hyjnë në dialog për të gjetur një kompromis për çështjen e grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë. Reeker u bëri thirrje si autoriteteve, ashtu edhe grevistëve, të mos ndërmarrin hapa që do të çonin në dëmtime fizike të vetes së tyre, ose të të tjerëve. Situata, tha zyrtari i lartë amerikan, duhet zgjidhur me dialog dhe me qetësi. “Palët nuk duhet të ndërmarrin sulme personale dhe politike të cilat kanë treguar se përshkallëzojnë situatën dhe pengojnë mundësinë e dialogut”, deklaroi Reeker. Zoti Reeker i bëri këto komente gjatë një konference shtypi në Uashington mbi Ballkanin perëndimor. Shqipëria, tha ai, mori një vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian lidhur me çështjen e statusit të vendit kandidat, por ky është vetëm një hap drejt proçesit të anëtarësimit në BE dhe vendi duhet të vazhdojë reformat. Deklarata e Reeker erdhi pasi grevisti Gjergj Ndreca i ka dërguar një letër edhe Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. Në letër ai i shkruan asaj se ‘Qeveria aktuale ka miratuar një ligj në vitin 2007, mbi dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë dhe e ka patur detyrim që ta zbatojë atë brenda 8 viteve. Në vitin e pestë të zbatimit, – shkruan Ndreca- Qeveria ka kryer një të tetën e detyrimit dhe me këtë ritëm, i bie që ligji të zbatohet pas 40 vitesh, kur askush nga ne nuk do të jetojë më”. “Thelbi i kërkesave tona, – shkruan më tej Ndreca,- ka të bëjë me një defekt themelor të shoqërisë ku jetojmë, moszbatimin e ligjit. Kërkesat tona u injoruan dhe në vend të dialogut dhe zgjidhjes u përballëm me një fushatë përbaltjeje, si kriminelë ordinerë. Akti im dhe i mikut tim Lirak Bejko, që shkuam me qetësi drejt vetëflijimit, nuk është akt i njerëzve të dëshpëruar, por i qytetarëve të vendosur që duan të ndezin shpresën e një shoqërie, e cila është lodhur nga zhgënjimet, korrupsioni dhe regjimet autoritare”. Duke iu referuar në letër Kryeministrit Berisha, Gjergj Ndreca i shkruan Sekretares Amerikane të Shtetit, se ‘në vitin 1997, kur në Shtëpinë e Bardhë ishte Presidenti Bill Klinton, ky politikan dogji Shqipërinë, vetëm pse nuk pranonte të ulej në dialog me kundërshtarët e tij dhe të dëgjonte këshillat e Shteteve të Bashkuara, për zgjedhje të lira dhe të ndershme’. “Një njeri që ka pranuar të djegë Shqipërinë për karriken e vet, nuk e ka problem të shikojë si digjen qytetarët e vet për të drejtat e tyre”, shkruan Ndreca. (TCH)