Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 14:41

Tiranë – Ligji i kontrollit të ndërtimeve pa pronar i jep zgjidhje një nga problemeve më të vështira për hipotekimin e pallateve me leje ndërtimi, vlerëson Shoqata e ndërtuesëve të Tiranës.

Kryetari i kësaj shoqate Avenir Kika, pohoi të shtunën se, “i ofrojmë mbështetjen e duhur Bashkisë së Tiranës për të nisur së shpejti procesin e hipotekimit të objekteve, të cilat përbëjnë dhe grupin më të vështirë të procesit”.

Sipas tij ligji i kontrollit të ndërtimeve pa pronar i mundëson qindra familjeve në kryeqytet marrjen e hipotekës së banesave të tyre që mbetur pezull për shkak te falimentimit, vdekjes apo çregjistrimit të ndërtuesit.

Ky ligj prek te gjithë ato ndërtime të cilat kanë një leje të rregullt ndërtimi sepse Bashkia e Tiranës nuk trajton objekte që janë pa leje ndërtimi pasi këto janë objekt i ALUIZNIT.

“Pa dyshim që ishte e domosdoshme ndërhyrja e pushtetit vendor dhe në këtë rast për Tiranën janë minibashkitë dhe pastaj Bashkia e madhe për të zgjidhur një nga problemet më të vështirë për hipotekimin e pallateve me leje ndërtimi”, tha Kika, duke shtuar se “në këtë rast pushteti lokal merr përsipër një faturë financiare që do të jetë në të mirë të qytetarëve.”

Ndryshimet e reja në ligj pushteti lokal merr përsipër kryerjen e procesit të kolaudimit teknik dhe me pas regjistrimin e banesës në ZRPP.