Lajme Shqip Wednesday, 07 August 2013 12:24

Bruksel – Dje në Bruksel është mbajtur takimi i radhës i Grupit Implementues të Marrëveshjes së Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM) në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Temë kryesore e këtij takimi ishte çështja e ndërtimit të objekteve të përhershme të IBM-së në të gjitha gjashtë pikëkalimet kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të vendosen saktësisht në vijën kufitare mes dy shteteve. Ndërtimi i këtyre pikëkalimeve kufitare është i paraparë me Protokollin Teknik të Marrëveshjes së IBM-së, që është nënshkruar dhe miratuar si nga Qeveria e Kosovës po ashtu nga ajo e Serbisë. Ndërtimi i pikëkalimeve të përhershme kufitare do të bëhet me financimin e Komisionit Evropian, të cilët në këtë takim kanë prezantuar projeksionet me ndryshimet e kërkuara nga palët nga takimi i kaluar. Komision Evropian njoftoi se planifikon që deri nga fundit i këtij viti ta përfundojë procedurën e tenderimit dhe kontraktimeve dhe se në fillimin të vitit 2014 të fillojë ndërtimi i këtyre pikëkalimeve kufitare të IBM-së, raporton Koha.

Ndërtesat e përhershme të IBM-it do të jenë sipas standardeve të larta të BE-së, të cilat do të mundësojnë një kontroll më të avancuar kufitar, që do të kontribuojë në lehtësira të mëtejme të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave. e po ashtu do të rrisë sigurinë dhe bashkëpunimin ndër-fqinjësor.

Pikë tjetër në agjendën e këtij takimi ishte edhe raportimi mbi gjendjen aktuale në pikëkalimet kufitare në mes të dyja vendeve. U konkludua se Marrëveshja është duke u zbatuar kënaqshëm, e sidomos u vlerësua funksionimi i kanaleve të komunikimit në mes të agjencive kufitare të Kosovës me ato të Serbisë të cilat kanë bërë që edhe përkundër trafikut të shtuar të mos paraqiten radhë të gjata nëpër pikëkalime kufitare. Pala jonë përgjatë këtij raportimi prezantoi disa nga pakënaqësitë e qytetarëve tanë që janë raportuar përgjatë hyrjes në territorin e Serbisë nga vendet e BE-së dhe pala serbe mori obligim që ti verifikoj këto informacione dhe të provon ti jap zgjidhje.

Në përbërje të delegacionit të Kosovës në këtë takim ishin: Fisnik Rexhepi, këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme, Dren Zeka këshilltar i lartë politik i Zëvendëskryeministres Tahiri, Qemajl Marmullkaj nga Zyra për Planifikim Strategjik, Naim Huruglica, Drejtor i Doganave të Kosovës, Shaban Guda, ndihmës drejtor për çështje të kufirit në Policinë e Kosovës dhe Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit.