Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 13:47

Tiranë – Deputeti i PD-së për qarkun e Shkodrës, Gëzim Dibra, ndërroi sot jetë në moshën 55-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Gëzim Dibra ka lindur në Shkodër më datën 08.11.1956, ndërsa ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin Juridik.

Dibra është zgjedhur si deputet i legjislativit shqiptar që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 për qarkun e Shkodrës.

Gjithashtu, deputeti i së djathtës ka qenë edhe anëtar i komisionit parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli menjëherë i ka përcjellë ngushëllimet e saja për ndarjen e parakohshme nga jeta të deputetit, Gëzim Dibra.

“Deputeti Gëzim Dibra ishte një deputet fisnik, me zemër të madhe dhe integritet të lartë. Si përfaqësues i Shkodrës ai punoi me sens të madh përgjegjësie dhe ndershmërie. Ai ishte i dashur për të gjithë”, shprehet Topalli.

“Në këto momente të vështira për bashkëshorten, vajzën e vogël 10 vjeçare, familjen dhe miqtë, dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të dashur”, tha Kryetarja e Kuvendit.

Sipas saj, “Kuvendi i Shqipërisë ka humbur një deputet që dallonte për korrektësinë dhe angazhimin serioz në detyrën e rëndësishme”.

“Të gjithë ne, kemi humbur kolegun e veçantë dhe mikun e mirë”, përfundon ngushëllimi i Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.