Lajme Shqip Monday, 09 September 2013 14:02

Tiranë- Kryeministri Sali Berisha në Presidencë jep dorëheqjen si kryetar qeverie. Ky akt i hap dritën jeshile ardhjes në pushtet të qeverisë ‘Rama’ e zgjedhur me votë nga zgjedhjet e 23 Qershorit.

Berisha i dorëzoi sot rreth orës 13:10 minuta presidentit, dorëheqjen nga posti që mban prej 8 vitesh dhe ky zhvillim ndodh vetëm pak orë para fillimit të seancës së parë të legjislaturës së re. Takimi mes tyre zgjati rreth 20 minuta.

Kryeministri Sali Berisha dorëhiqet nga ky post sot dhe do ta ushtrojë detyrën deri në momentin që pasardhësi Edi Rama do të mandatohet nga Presidenti i Republikës si kryeministër në detyrë.

Nga ana e tij, kreu i shtetit ka afat 10 ditor për të dekretuar qeverinë e re “Rama”. Kreu i shtetit, Bujar Nishani, u shpreh para pak ditësh gjatë një emisioni televiziv se “me të ardhur propozimi brenda datës 10 shtator mund të dekretohet kryeministri i ri”.

Nga ana tjetër, sot, më 9 shtator mblidhet Kuvendi i parë i Shqipërisë, i cili pas verifikimit të mandatit të deputetëve duhet të zgjedhë drejtuesit e këtij institucioni ligjbërës. Kushtetuta bën të qartë rrugët dhe afatet ligjore brenda së cilës duhet të bëhet rotacioni politik nga PD-ja tek PS-ja, konkretisht si formohet qeveria e re. Në kapitullin e pestë të Kushtetutës është përcaktuar mënyra se si formohet Këshilli i Ministrave.

Në një nen më poshtë përcakton procedurën e formimit të qeverisë së re. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, – thuhet në nenin 96 të Kushtetutës. Mbi bazën e kësaj prerogative, partia ose koalicioni fitues duhet t’i propozojë kreut të shtetit emrin e kryeministrit të ri, tashmë të përcaktuar, Edi Rama.

Pra, Partia Socialiste, si kryesuese e koalicionit të majtë, do t’i propozojë emrin e Ramës për kryeministër.

Pas këtij veprimi, emri i kryeministrit duhet të kalojë provën në Kuvend, së bashku me programin politik dhe votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emrat e ministrave, që pritet të ndodhë në seancën e ditës së enjte në 12 shtator. “Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, – thuhet në nenin 97 të Kushtetutës. /Ballkanweb/