Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 15:06

Mitrovicë – Drejtues të komunës së Mitrovicës vendosën sot kurora lulesh në Shtëpinë Muze, në një lagje të banuar edhe me shqiptarë, në veriun e dominuar nga serbët e strukturat e tyre paralele, ku para 12 vitesh ishin vrarë 9 persona nga policët serbë. Me këtë rast nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se kjo Shtëpi Muze ruan në kujtesë një nga ngjarjet e tmerrshme të luftës së fundit në Kosovë.
“Kjo dëshmi e dhunës serbe në këtë lagje tregon tendencat e tyre para shumë vitesh për pastrimin etnik të kësaj hapësire shqiptare”, tha ai në Lagjen e Boshnjakëve. 
Në tubim, sipas zyrës së shtypit të komunës, para një numri qytetarësh dhe familjarëve të të vrarëve në atë vend,  foli edhe Fevzi Beqiri, nga Lagja e Boshnjakëve. Ai tha se këtu ka ndodhur një gjenocid ndaj popullatës shqiptare. “Gjendja është e rëndë edhe tani. Banorët shqiptarë kanë probleme me sigurinë, papunësinë, etj”, theksoi Beqiri.
Ai përmendi edhe problemin që kanë së fundi sa i përket regjistrimit të popullsisë, i cili në veri nuk është zhvilluar nga 1 deri më 15 prill si në pjesët e tjera të vendit.