Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 10:27

Prishtinë-Shtohen deklaratat e përfaqësuesve diplomatikë në Kosovë për të gjetur një zgjidhje për veriun e vendit. Pas ambasadores së re amerikane dhe atij francez, tashmë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff, shprehet se nevojitet një zgjidhje e çështjes së veriut.

Duke folur për të përditshmen Koha Ditore, Cliff tha se mbështet zgjidhjen e problemit të veriut nëpërmjet një aranzhimi që do të ishte Pakoja e Ahtisaarit, por që nuk do ta kishte këtë emër.

I pyetur se a do të duhej që Qeveria e Kosovës të insistonte në zbatimin e Pakos së Ahtisaarit, pa u zgjeruar në aranzhime të tjera, ambasadori ka thënë se emri “Ahtisaari”, nuk duhet përdorur.

“Po, por ndoshta pa e përdorur emërtimin `Ahtisaari`”, ka thënë Cliff. Plani i ish-kryenegociatorit për statusin e Kosovës, krahas pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën parashikon edhe krijimin e disa komunave me shumicë të qytetarëve serbë të Kosovës.

Komunave u janë zgjeruar kompetencat në mënyrë që këta qytetarë të mund të vetëqeverisen. Katër vite pas pavarësisë, pakoja është zbatuar në lokalitetet me shumicë serbe në jug të lumit Ibër, por për serbët e veriut mbetet e papranueshme.

Një ditë më parë ishte ambasadori i Francës në Kosovë, Zhan Fransua Fitu që bëri thirrje për nisjen e një procesi që mund të jetë edhe dialog për veriun. Deklarata e tij pasoi atë të ambasadores së re amerikane. Tracey Ann Jacobson e cila paralajmeroi se situata mbetet e tensionuar në veri, ndersa duhet gjetur nje zgjidhje qe te respektojë sovranitetin e Kosovës, por edhe të marrë parasysh qëndrimet e qytetarëve në veri.