Lajme Shqip Thursday, 17 November 2011 17:00

Prishtinë – “Ndarja e territorit të Kosovës dhe çdo ide e tillë është shumë e rrezikshme”, deklaroi sot kryeministri Hashim Thaçi në seancën plenare të Kuvendit, duke ritheksuar qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve dhe që asnjë cep i Kosovës mos t’i jepet Serbisë.

Ideja e deputetit të LDK-së, Lutfi Haziri, për kthim të kufijëve të vitit 1956, ka nxitur reagime të ashpra. Ditëve të fundit është raportuar se Lutfi Haziri ka qëndruar edhe në Leposaviq dhe në Beograd, të cilat ai i ka mohuar.

Ndërsa, kreu i qeverisë së Kosovës tha se “jemi dëshmitarë të përkushtimeve të mëdha të institucioneve të Republikës së Kosovës, me një partneritet shumë të ngushtë me të gjitha autoritetet ndërkombëtare, KFOR-in, EULEX-n, BE-në, SHBA-të, për të bërë zbatimin e plotë të kushtetueshmërisë dhe ligjeve në gjithë territorin e Republkës së Kosovës”.

“Befasisht ditëve të fundit kemi deklarime të personaliteteve publike, të partive të ndryshme politike, që mënyrën e zgjidhjes së problemit të veriut të Mitrovicës e shohin si opsion me dhënien e atij territori të Republikës së Kosovës Serbisë, apo me ndryshimin e kufijve apo këmbimin e territoreve”, theksoi Thaçi.

Natyrisht, vijoi ai, unë shpreh edhe shqetësimin e qeverisë për këto ide befasuese, që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe gjithashtu prezantoj edhe shqetësimin e të gjithë miqve ndërkombëtarë për këto ide, të cilat janë në kundërshtim me qëndrimet e Kuvendit të Kosovës, të Qeverisë, të gjitha institucioneve të vendit, të vullnetit të qytetarëve si dhe me dokumentet ndërkombëtare për Kosovën.

“Kosova është njohur nga 86 shtete, me integritetin territorial të respektuar, të miratuar dhe të njohur ndërkombëtarisht”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shprehur sërish shqetësimin për këto ide të individëve të ndryshëm të skenës politike të Kosovës.

Kryeministri Thaçi u shpreh se “Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, për respektimin e plotë të integritetit territorial te Republikës së Kosovës dhe natyrisht asnjë cep i territorit të Republikës të mos i jepet Serbisë”.

 

(LajmeShqip.com)