Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 08:00

Beograd – Ndarja e Kosovës – një opsion që përgjatë viteve të fundit ka mbizotëruar qëndrimin politik të Beogradit karshi veriut të vendit tonë, e që është zhdukur më pas për një kohë të caktuar nga tryeza e mundësive për zgjidhjen e kësaj çështjeje – është shfaqur sërish.

Me gjithë kundërshtimin kategorik të Prishtinës zyrtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, bindjen se ndarja është opsioni më i mirë për zgjidhjen e problemit të veriut e ritheksoi një ditë më parë kryeministri serb, Ivica Daçiq.

Por, njohësit e rrethanave politike në Serbi e Kosovë hedhin poshtë mundësinë për jetësimin e kësaj ideje. Ata konsiderojnë se me realizimin e saj Serbia do të njihte shtetësinë e Kosovës, duke ia ndryshuar tërësinë territoriale – gjë që bie ndesh me politikën aktuale se “nuk do të njihet kurrë pavarësia e Kosovës”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq thotë se një pjese të politikanëve serbë dhe atyre që e mbështesin idenë për ndarje, u nevojitet, siç shprehet ai, një psikoterapi për t’ua bërë të qartë pamundësinë e zbatimit të këtij opsioni në realitetin ekzistues.

“Mendoj se do të ishte shumë e nevojshme që të organizohet një lloj terapie psikologjike – ose psikoterapi, dhe një diskutim joformal lidhur me ndarjen. Nuk është vetëm Daçiq ai që flet për këtë gjë, por i kemi edhe disa ish-zyrtarë, si për shembull Steven Meyer, apo ish-zyrtari i Kombeve të Bashkuara, Gallucci, që mbajnë të gjalla shpresat se ndarja është zgjidhje”, shprehet Janjiq, për të shtuar se pjesa dërrmuese e njerëzve në Serbi janë në kërkim të një zgjidhjeje të shpejtë në raport me Kosovën.

Analisti serb shfaq rëndësinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të deritashëm ndërmjet Prishtinës e Beogradit, ndërsa thotë se duhet të punohet fuqishëm në normalizimin e raporteve ndërmjet palëve dhe gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për problemin e veriut të Kosovës.

Hulumtuesi i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillimin e Politikave-KIPRED, Shpend Kursani thotë se heshtja aktuale dhe mungesa e ofrimit të ideve nga pala kosovare flasin për mungesën e vizionit që ka Kosova për zgjidhjen e problemit të veriut.

“Ne po kemi frikë ta themi qëndrimin tonë, ndërsa po presim të na e thonë. Serbia po e tregon veten si një aktor – një palë serioze në dialog dhe kjo tregon se më shumë do t’i dëgjohen Serbisë dëshirat në dialog sesa delegacionit apo pozicionit të Kosovës”, vlerëson Kursani.

Ai thekson se viktimë e qëndrimit të Beogradit ndaj problemit për veriun e Kosovës janë bërë serbët lokalë të asaj pjese, të cilët vazhdojnë të jetojnë në një status-quo.

Integrimi i këtyre të fundit, ndërkaq, shihet si e vetmja mundësi, të cilën Prishtina zyrtare është zotuar se do ta zbatojë në javët dhe muajt e ardhshëm.

Problemi kryesor në këtë drejtim thuhet se mbetet funksionimi i strukturave paralele serbe në zonat përtej lumit Ibër në Mitrovicë dhe mungesa e sundimit të ligjit atje.

Problemi i veriut pritet të jetë temë boshte e një dialogu të ardhshëm politik ndërmjet Kosovës e Serbisë, që është paralajmëruar të ndërmjetësohet nga BE-ja.(LajmeShqip.com)