Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 12:35

Tiranë – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet kërkoi sot zyrtarisht reagimin e autoriteteve shtetërore mbi ndalimin e hyrjes në shtetin grek të dy qytetarëve shqiptarë, vetëm pse vendlindja e tyre ishte Çamëria.

Në një konferencë për shtyp, Sekretari Politik i PDIU-së, Adrian Tana, u shpreh se “qeveria shqiptare e ka detyrim kushtetues dhe ligjor që të ndërhyjë në rastet kur shkelen të drejtat e qytetarëve të vet”.

“PDIU kërkon nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Ministria e Brendshme të marrë sqarime nga pala greke në lidhje me këtë incident, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos ripërsëriten”, bëri të ditur Tana.

Sipas tij, ndalimi nga policia greke i dy të moshuarve 75-vjeçarë, që kanë lindur në Çamëri, dhe refuzimi i hyrjes së tyre në Greqi, në pikëkalimin e Kakavijës, përbën një shkelje të hapur të të drejtave të njeriut dhe vjen në kundërshtim me parimet evropiane.

PDIU ka informuar mbi këtë rast  edhe përfaqësitë diplomatike në Shqipëri të të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“PDIU shpreh edhe një herë qëllimin e saj që së shpejti të vizitojë Çamërinë me një grup të moshuarish që kanë lindur aty dhe që nuk gjejnë prehje pa parë vendlindjen e tyre. Kjo pjesë e popullsisë shqiptare, jo vetëm që nuk duhet ndaluar për të vizituar familjarët e tyre në Greqi, si rasti i çiftit Bajrami, por duhet inkurajuar që të vizitojë vendin ku kanë lindur dhe janë rritur”, tha sekretari politik i PDIU-së, Adrian Tana.