Lajme Shqip Monday, 23 April 2012 16:46

Tiranë – “NATO është një histori suksesi dhe ne ndjehemi krenarë që jemi anëtarë të saj, që kontribuojmë në këtë komunitet që garanton paqe dhe siguri. Angazhohemi të punojmë së bashku në mënyrë efektive për sigurinë, për paqen dhe lirinë, në një botë për një të ardhme më të sigurtë”, theksoi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në çelje të konferencës “Mbrojtje e Zgjuar-Bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal mes vendeve të Evropës Juglindore, grumbullimi dhe ndarja e aseteve të mbrojtjes”, që filloi punimet sot në Hotel “Sheraton”.

Në fjalën e saj ajo garantoi se duke u angazhuar në sfidat e shekullit të 21, prioritet është axhenda e mbrojtjes inteligjente. “Ne kemi për detyrë të votojmë resurset, por dhe t’i shpjegojmë të gjitha vendime tona publikut, brenda vendit e më tej. Mbrojtja inteligjente do të jetë në axhendën e Samitit të Çikagos dhe jam e sigurt se dhe këtu në Tiranë të gjithë bashkë do ta adresojmë me përgjegjësi këtë axhendë”, u shpreh kryeparlamentarja.
Sipas saj, në kohën e krizës globale buxhetet e mbrojtjes nuk kanë qenë imune dhe në kohë të tilla ne kemi nevojë dhe më shumë për njëri-tjetrin. “Ne së bashku kemi të njëjtat qëllime, ku NATO së pari është instrumenti i ruajtjes së sigurisë, por dhe i vlerave tona. Ishte ky qëllimi i krijimit të saj dhe mbetet dhe sot i njëjti qëllim.  Aleanca e Atlantikut është më shumë se komuniteti i disa kombeve; është i vetmi komunitet që luan një rol kyç në garantimin e paqes në zonën euroatlantike, për 60 vite rresht”, tha ajo. 

Topalli theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të investojë në këtë komunitet në terma militare, ekonomikë e politikë dhe kjo, sipas saj, duhet të bëhet në një mënyrë më të zgjuar.
Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Asamblenë Parlamentare të NATO-s, organizojnë sot në Tiranë Konferencën dy ditore me temë “Mbrojtje e Zgjuar-Bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal mes vendeve të Evropës Juglindore, grumbullimi dhe ndarja e aseteve të mbrojtjes”.

Në konferencë marrin pjesë delegacionet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s nga Shqipëria, Austria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Hungaria, Italia, Kosova, Maqedonia, etj, si dhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, David Hobbs, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-PA, etj. (LajmeShqip.com)