Lajme Shqip Sunday, 15 April 2012 11:06

KFOR-i ka marrë udhëzime nga NATO-ja që të përdorë të gjitha mjetet për të mos lejuar trazira në veri. Si rezultat trupa paqeruajtëse e NATO-s ka paralajmëruar institucionet e Kosovës që të mos i përdorin incidentet e fundit për nxitje politike, ngase KFOR-i nuk do të lejojë edhe një situatë të ngjashme me atë të marsit 2004.

“Na e kanë bërë të qartë se KFOR-i do të mbrojë popullatën civile, dhe se nuk do të kursehet për të ndalur turmat e ngjashme si ato të vitit 2004”, ka thënë një zyrtar i lartë i institucioneve të Kosovës.

Sipas këtyre burimeve, paralajmërimet janë bërë në takimet e shumta të zyrtarëve të KFOR-it me ministra, me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe me presidenten Atifete Jahjaga.

Mesazhin, veç të tjerash, e ka sjellë në Kosovë komandanti i NATO-s në komandën e Napolit, admirali Bruce W. Clingan. Komanda në Napoli është autoriteti që i jep urdhra KFOR-it në zinxhirin komandues të NATO-s që selinë e ka në Bruksel.

Mesazhi i komandantit të NATO-s është dhënë edhe në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca e Kosovës.

Admirali Clingan theksoi që NATO-ja përcjell nga afër zhvillimet në Kosovë dhe pret që institucionet dhe populli i Kosovës të jenë vigjilentë ashtu si edhe deri më tani dhe të mos lejojnë që incidentet individuale të përdoren për arritjen e qëllimeve politike dhe krijimit të një klime të pasigurisë e jotolerancës”, thuhet në komunikatën e Presidencës. (LajmeShqip.com)