Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 19:00

Tiranë- Takimi i radhës i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, i cili prej dy ditësh po mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel, është përqëndruar në tre tema kryesore.

Një temë e rëndësishme e bisedimeve në takimin e NATO-s në Bruksel ka qenë edhe misioni i KFOR-it në Kosovë.

Aktualisht NATO nuk parashikon një reduktim të trupave të KFOR-it për sigurinë në Veri të Kosovës, por konsideron se zgjidhja më e mirë është politike dhe jo ushtarake.

“Ne mbështesim procesin e dialogut Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Ne nuk duhet të habitemi, që një dialog i tillë të fillojë normalisht me çështje teknike të cilat duan një zgjidhje dhe gradualisht këto bisedime teknike mund të kalojnë në dialog politik. Në eksperiencën time, kjo është e natyrshme”, ka nënvizuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen.

Pala shqiptare ka propozuar që të shtohet presioni nga komuniteti ndërkombëtar lidhur me shpërbërjen e strukturave paralele në Veri të Kosovës.

“Natyrisht pati edhe ide nga pala shqiptare, që komuniteti ndërkombëtar në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje politike duhet  t’i kushtoj një vëmendje më të madhe lidhjeve të Beogradit me Veriun e Kosovës. Pra, të përpiqet të bëj një presion pozitiv, në kuptimin që situata politike dhe në përgjithësi situata në Veri të përmirësohet”, deklaroi zv / ministri i Mbrojtjes, z. Starova.

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s kanë diskutuar gjithashtu edhe për mbrojtjen e zgjuar, koncepti i “Smart Defence”, që do të jetë çështje kryesore diskutimi në Samitin e ardhshëm që do të mbahet në Çikago, SHBA.

“Nuk duhet kuptuar si diçka që niset nga kriza aktuale. Mbrojtja e zgjuar apo siç njihet ndryshe koncepti i “Smart Defence” kryesisht është një përpjekje për të rritur aftësitë ushtarake të të gjithë vendeve të NATO-s, për t’iu përgjigjur sfidave të reja që janë të shumëllojshme dhe të papritura. Nga të tërë ministrat apo pjesëmarrësit e këtij ministeriali u theksua ideja që situata aktuale, ekonomike, e vështirë duhet të shihet si një mundësi për të rritur aftësitë në mënyrë inovative, shpikëse, apo mënyra të reja moderne që kanë  lidhje me mbrojtjen raketore apo me sistemet e survejimit tokësor, ajror, etj”, sqaroi më tej zv / ministri i Mbrojtjes Starova.

Aktualisht ka rreth 200 projekte në kudrin e konceptit “Mbrojtja e Zgjuar”. Në Samitin e Çikagos që do të zhvillohet më datë 19-20 maj të vitit 2012, pritet të bëhet përzgjedhja e projekteve më të mira për realizim. (LajmeShqip.com)