Lajme Shqip Tuesday, 04 June 2013 14:42

Prishtinë – Gjatë të hënës Natali Velijaj kishte kërkuar me ngulm disa herë që gardianët t’a lirojnë nga qelia për të shkuar në toalet.Por, insistimi i saj i shpeshtë ngriti dyshimet tek një oficere kujdestare e sigurisë, e cila kontrolloi të dyshuarën kryesore për zhdukjen e 1.4 milionë eurove të pasaportave biometrike të kosovarëve.Pas këtij kontrolli jorutinor, oficerja ka hasur në një telefon mobil në xhepin e trenerkave të shtetases gjermane.

Burime të Express thonë se me të njëjtin mjet Velijaj dyshohet t’i ketë kryer tri telefonata gjatë asaj dite.

“Ende nuk po dihet se si i është futur telefoni brenda. Ai është konfiskuar dhe është dërguar si material për t’u hetuar meqë kemi vërejtur se ka pasur tri komunikime me të”, ka bërë të ditur burimi i gazetës.

Konfiskimin e telefonit të Natalisë e ka konfirmuar për Express edhe njëri nga mbrojtësit e shtetases gjermane, avokati Nuhi Paçarizi.

“Po jam i njoftuar por nuk di se si ka arritur ajo deri te telefoni”, tha Paçarizi shkurt.

Ai mohon të jetë në dijeni se më kë ka mundur të bisedojë Velijaj.

Kontrabandimi i çfarëdo lloj mjeti të komunikimit, armëve apo lëndëve narkotike brenda institucioneve korrektuese është e vepër ligjërisht e dënueshme.

Monitorimi dhe mbikëqyrja e punës së shërbimeve korrektuese në Kosovë sipas ligjeve në fuqi bie në kompetencën e Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërkohë që administrata e burgjeve në Kosovë vazhdon të kritikohet për keqmenaxhim, meqë, rasti Velijaj nuk është i pari kur një të dyshuari për vepra të rënda kriminale i gjenden mjete të ndaluara brenda qelisë.

Ndryshe më 12 qershor të këtij viti Natali Velijaj i përfundon paraburgimi prej gjashtë muajsh.

Në rast se deri në atë datë Prokuroria e EULEX’it, e cila udhëheq hetimet në rastin e njohur si “Skandali i pasaportave”, nuk ngrit aktakuzë, ajo do të duhej të lirohej nga kjo masë e sigurisë deri në një vendim tjetër të Gjykatës.