Lajme Shqip Wednesday, 14 August 2013 14:11

Prishtinë – Një kërkesë e Sarajevës për ekstradimin e Naser Kelmendit ende nuk ka mbërri në organet e drejtësisë kosovare.

Mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha thotë se nuk është në dijeni për një kërkesë të tillë.

“Deri tash Gjykata kompetente në Kosovë e cila do të duhej të vendoste për ekstradimin apo mos ekstradimin nuk ka pranuar kërkesë të tillë në këtë stad. Vetëm sa i përket pjesës politike të EULEX’it, por nuk ka kaluar në departamentin gjyqësor respektivisht në anën e Prokurorisë”, tha ai, shkruan Express.

I pa informuar rreth kërkesës është edhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

“Nuk kam informata për këtë, jam në pushime”, ishte përgjigja e ministrit për Express.

Në fakt, Ministria e Drejtësisë asnjëherë nuk ka marrë kërkesë zyrtare nga Bosnja, meqë kjo nuk e njeh Republikën e Kosovës.

Si pasojë, avokati Berisha thotë se nuk ka kurrfarë bazë ligjore për ekstradimin e klientit të tij.

“Deshi apo s’deshi Bosnja për qytetarët e Republikës së Kosovës nuk është kompetent EULEX’i me vendos nëse ekstradohet apo nuk ekstradohet dikush.Është një Ligj, një Kushtetutë dhe një kompetencë e fundit e Ministrit të Drejtësisë, i cili vendos mbi parimin e reciprocitetit”, tha Berisha.

“E kam thënë edhe më herët se çështja e ekstradimit të zotit Kelmendi nuk është çështje që mund të diskutohet, tashmë në Kosovë ka një hetim i cili po vazhdon për zotin Kelmendi dhe Bosnja duhet që gjithçka çka ka kundër tij t’a dërgojë tek EULEX’i, kështu që EULEX’i do ta kryejë edhe një punë ma të mirë se sa Bosnja nëse veç ka prova kundër tij”, shtoi avokati.

Ndërkohë sipas Berishës, Ministri Kuçi nuk do të duhej të japë asnjë nënshkrim pasi për rastin, nuk ka vendim gjyqësor.

“Vetëm kur ai në tavolinën e tij e ka vendimin fuqiplotë të gjykatës me të cilin lejohet ekstradimi dhe një kërkesë nga shteti kërkues i cili i drejtohet Republikës së Kosovës, respektivisht Qeverisë së Republikës së Kosovës për ministrin e drejtësisë. E në qoftë se Kosova arrin ta ketë atë trajtim nga Bosnja, pra që të trajtohet si shtet atëherë po mund të ndodh ekstradimi”, tha Berisha.

Derisa shtoi se, Kuçi e ka ditur mirë së nuk ka bazë ligjore për të nënshkruar ekstradimin e Kelmendit, kur ka thënë se do të veprojë sipas ligjit.

Kërkesën e Bosnjës ndërkaq Berisha e arsyeton me faktin se ajo duhet të kërkojë diçka të tillë në emër të qytetarëve të saj.

Sipas tij, shembulli i Elvis Kemendit, i cili u gjykua nga EULEX dhe po mban dënimin brenda Kosovës është më i mirë që shpjegon se e njëjta procedurë mund të ndiqet edhe për babain e tij, Naser Kelmendi.

“Ta kemi të qartë zoti Naser Kelmendi nuk është në paraburgim si rezultat i pritjes së ekstradimit të tij pro si pasojë e një hetimit të nisur në Kosovë ndaj tij për një vepër penale, pjesëmarrje në organizmin enjë vrasje që dyshohet se e ka kryer në Bosnjë”.

Kelmendi dyshohet për pjesëmarrje në vrasjen e boshnjakut Ramiz Dalalci në 2007’ën, në Bosnjë.

Emri i Naser Kelmendit qe rishfaqur në mediet e Ballkanit në shtator te vitit të kaluar kur autoritetet boshnjake ndërmorën një operacion në shkallë të gjerë kundër krimit të organizuar, që përfshinte bastisje në mbarë vendin në kërkim të personave të dyshuar për vrasje trafikim droge dhe plaçkitje.

Mediat në disa vende Ballkanike e cilësojnë Kelmendin si një prej njerëzve kryesor të krimit të organizuar ne rajon. Ndërsa në listën amerikane emri i Naser Kelmendit radhitet përkrah atij të kreut të kartelit meksikan të drogës, Hoze Antonio Sota Guatemala, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.

Arrestimi i tij ndodhi me 5 maj të këtij viti nga policia e Kosovës në vendlindjen e tij në Pejë