Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 13:31

Pas pohimit të Fatos Nanos se kërkon që të bëhet presidenti i ardhshëm i shqiptarëve, kanë ardhur edhe reagimet e para.

Deputeti socialist, Andis Harasani, shprehet në një prononcim për gazetën Shqip, se ish-kryeministri socialist është kandidatura më e mirë për postin e presidentit të vendit dhe se përvoja e tij në qeverisje sugjeron tanimë një votë pro nga ana e PS-së në këtë drejtim.

“Fatos Nano është jo vetëm kandidat i pranueshëm, por edhe kandidati më i mirë për postin e Presidentit të Republikës. Besoj se mënyra se si ai ka drejtuar qeverinë dhe Partinë Socialiste sa më shumë që kalon koha, aq më shumë kuptohet se sa e drejtë ka qenë”, shprehet Harasani.

Madje ai shkon edhe më tej në këtë qëndrim të vetin, teksa e analizon lënien jashtë të Nanos nga Këshilli i të Urtëve si një shenjë se edhe ekipi drejtues i PS-së po e sheh lojën presidenciale si një zhvillim, ku karta “Nano” mund të riaktivizohet.

“Nga ana tjetër, megjithëse nuk ka ende një qëndrim zyrtar nga ana e PS-së, dhe kjo është gjëja e duhur pasi është ende herët, fakti që z. Nano nuk u propozua në Këshillin e të Urtëve në PS tregon që u ruajt si kandidaturë për pozicionin e Presidentit, të paktën sipas mënyrës sesi e lexoj unë”, deklaroi Harasani.