Lajme Shqip Thursday, 20 October 2011 14:05

Tiranё – Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës (METE), Nasip Naço,  duke  informuar të enjten Kuvendin për aksidentin e ndodhur dy ditë më parë në minierën e Bulqizës,  akuzoi opozitën  se po kërkon të përfitojë politikisht nga kjo ngjarje.

Duke renditur kronologjikisht vendimet e marra nga METE në kuadër të masave mbrojtëse për garantimin e sigurisë në këtë minierë, ministri Naço tha se më 3 qershor 2011 kishte urdhëruar kontrollin e marrëveshjes së shoqërisë koncesionare ACR, ndërkohë që më 4 korrik 2011 ishte urdhëruar ushtrimi i një kontrolli në minierë për zbatimin e marrëveshjes në fjalë.

“Urdhëri ishte i qartë dhe i prerë dhe për zbatimin e tij u ngarkuan ekspertë të RISHM-t dhe të METE-s. Pas kësaj kanë ardhur konkluzionet e para dhe me urdhërin e datës 20 korrik 2011 kërkova pezullimin e pjesshëm të lejes minerare të dhënë më 2002-n kompanisë ACR”, deklaroi Naço në parlament.

Ai vijoi informimin e deputetëve, duke bërë të ditur se më 27 korrik 2011 aplikoi penalitete ndaj kompanisë ACR, ndërsa më 10 gusht 2011 urdhëroi ndërprerjen e prodhimit në minierën e kromit dhe marrjen e masave për rehabilitimin e saj.

Masat e marra vijojnë më tej me urdhërin e datës 5 gusht të METE-s, ku kërkohej shlyerja e detyrimeve nga ACR.

Paraditen e 18 tetorit, në pusin nr. 2, niveli i 16-të në minierën e Bulqizës, ku zhvillon aktivitetin e saj me koncesion kompania ACR, ndodhi një shpërthim i fuqishëm i gazit metan, nga i cili humbi jetën një minator, ndërsa u plagosën 8 të tjerë, tre prej tyre në gjendje të rëndë.