Lajme Shqip Saturday, 22 September 2012 15:30

New york – “Në këtë vit të njëqindvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë populli shqiptar është i lirë dhe zot i vetvetes kudo që jeton”, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në manifestimin e 16-vjetorit të aktivitetit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC).

Sot, vijoi ajo, kemi një bashkëpunim të fuqishëm në të gjitha fushat për prosperitet, për paqe dhe stabilitet, për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë popujt dhe me të gjitha vendet. “Nëse shekulli i njëzetë mbahej mend për shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar, shekulli njëzet e një shënohet me shpalljen e pavarësisë së Republikës se Kosovës. Këto dy vepra madhore patën sukses falë ndihmës së SHBA-së, presidentëve Wilson, Klinton dhe Bush dhe miqve tanë ndërkombëtarë”, theksoi presidentja kosovare.

Ne, shtoi jo, po ndërtojmë shtetet demokratike me vizionin e qartë, të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në familjen e popujve të lirë, të dinjitetshëm dhe të barabartë dhe anëtarësimin në NATO, në Aleancën më të fuqishme, që me ndërhyrjen e saj, parandaloi gjenocidin dhe ktheu popullin në trojet e veta. “Republika e Kosovës dëshiron të behet anëtare e Organizatës se Kombeve te Bashkuara, sepse kështu e përmbyllim me sukses dhe në mënyrë të drejtë një kapitull të historisë”, u shpreh Jahjaga, duke dhënë edhe mesazhin “të punojmë për kauzën në të cilën besojmë, për paqe, prosperitet, bashkëpunim dhe solidaritet ndërmjet njerëzve”.(LajmeShqip.com)