Lajme Shqip Thursday, 16 January 2014 11:06

Ora nuk ka shkuar ende 9 e mëngjesit, por njerëzit kanë nisur të përshkojnë oborrin e selisë së Partisë Socialiste. Një nga një paraqiten në hyrje të selisë me shqetësim në fytyrë, por dhe në zë. Kërkojnë të takojnë një ministër. Janë të paduruar të marrin sqarimin nga zonja e Informacionit që si përherë, është e para që pret çdo qytetar që paraqitet në zyrat e selisë rozë. “Duam të takojmë ministrin, dua të takojmë ndonjë deputet”, është kërkesa e tyre, po pa saktësuar se cilin nga të zgjedhurit e Partisë Socialiste. Për ta mjafton që të jetë dikush nga mazhoranca që të dëgjojë hallin e tyre, tu japë një zgjidhje. Zonja e informacionit i sqaron me radhë, secilin prej tyre, për procedurën, ndërsa u tregon dhe njoftimin e ngjitur në xham. “Të nderuar qytetarë, ju njoftojmë se takimet e anëtarëve të kabinetit qeveritar do të zhvillohen në selinë e Partisë Socialiste në katin e IV, çdo ditë sipas këtij orari: e hënë – e premte ora 16:00 – 18:00 dhe e shtunë ora 11:00 – 13:00. Jeni të lutur të plotësoni formularin për takimin, që gjendet pranë recepsionit”, – thuhet në njoftim. Qëndroj ende aty ndërsa orët kalojnë dhe të tjerë njerëz drejtohen tek selia. Duke shpejtuar të mbyllnin çadrën që i kishte mbrojtur nga shiu, disa madje dhe krejt të larguar, drejtohen tek dera për të hyrë brenda. Por jo të gjithë ishin ‘me fat’ për të lënë një takim me ministrin. Në 2-orëshin e takimit të paracaktuar jo të gjithë mund të kenë mundësi të takojnë përfaqësuesin e kabinetit “Rama”. “Me vjen keq, por lista është mbyllur për sot. Ka përfunduar që në orën 9”, njofton zonja e dezhurnit të Informacionit, ndërsa ora shënonte 11:30. Mësojmë se sipas një procedure të caktuar nga strukturat e organizimit të Partisë Socialiste, çdokush që dëshironte të takonte një anëtar të kabinetit qeveritar duhet të paraqitej në mëngjes, të plotësonte një formular ku shënonte emrin, mbiemrin, arsimin përkatës dhe një numër kontakti dhe më pas të paraqitej sërish pasdite për të zhvilluar takimin. 

Orari i takimeve 

Pasdite holli i selisë së PS-së është i mbipopulluar. Tashmë jo me 4-5, por rreth 20-30 persona janë mbledhur atje ndërsa akrepat e orës kanë kaluar pak minuta nga 16:00. Të gjithë të shqetësuar presin për të hyrë brenda që të takojnë ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj. Kur afrohem dhe i pyes disa pohojnë se pasi kanë ardhur herët në mëngjes për të regjistruar emrin, tani presin radhën për të takuar ministrin. Por disa të tjerë thjesht kishin lexuar gazetat dhe pasi ishin informuar për takimin e pasdites, kishin rendur aty sapo ora shënoi 16: 00. “Duam të takojmë ministrin. Berisha dhe Basha na kanë lënë pa punë, kanë fituar dhe kanë ngrënë në kurrizin tonë”, – pohon një zonjë e cila refuzon të thotë emrin. Një tjetër person pohon se ai është pushuar nga puna që bënte në bashki. “Marangoz kam punuar, por dhe nga kjo punë më hoqi”, – pohon ai. Ndërsa ai po fliste dikush shfaqet në derë, “Takimet e parashikuara për sot shtyhen për të shtunën në orën 11:00 për shkak se ministri ka pasur shumë angazhime që nuk mund t’i linte dot”, njofton një djalë i ri. Të gjithë duken të pakënaqur, ndërsa nisin të largohen. Do tu duhet të presin dhe për disa ditë të tjera për t’i qarë hallin ministrit. Takimet në selinë rozë kanë nisur në zbatim të porosisë së kryeministri Edi Rama gjatë një nga mbledhjet e grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. “Kërkoj nga secili prej jush që, pa humbur kohë, të vendosë kontaktin e pandërprerë me qytetarët përmes zyrës së deputetit dhe të mbajë në korrent qeverinë për sugjerimet apo kritikat në çdo zonë”, – ishte porosia e kryeministrit.

Takimet në seli, sot qytetarët i pret Bushati

Çdo qytetar që do të flasë me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, mund të paraqitet sot në selinë e Partisë Socialiste. Si dhe në ditët e para, planifikimi i takimit nis me plotësimin e formularit në orët e para të mëngjesit për tu rikthyer sërish pasdite në orën 16:00 deri në orën 18:00. Zoti Bushati ashtu siç bëri dy ditë më parë ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, do të presë qytetarët duke u njohur me shqetësimin e secilit prej tyre. Pasi të paraqitet problemi përkatës çështja mbahet shënim dhe do të përcillet në dikasterin që mund të ofrojë dhe zgjidhje. Kërkesa për punësim ka qenë kryefjala e qytetarëve në takimin e zhvilluar me ministren Nikolla por dhe në takimin e planifikuar me zotin Ahmetaj i cili u shty për ditën e shtunë. 

Të pushuarit nga Basha, kërkojnë zgjidhje te PS-ja

Të gjithë duan një vend pune, jo një punë në zyrë, por një punë të thjeshtë për të siguruar bukën e gojës. Kjo është kërkesa kryesorëve e qytetarëve që presin tek dera e selisë së Partisë Socialiste. Mes tyre është dhe Zydi Hasaj, i cili na tregon se e ka pushuar nga puna kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. Me një shkresë në dorë dhe ai, po priste të takonte ministrin, edhe pse mësojmë se nuk kishte shënuar emrin në mëngjes për të rezervuar takimin. “Po pres të takoj ministrin, dua një vend pune. Basha më pushoi nga puna edhe pse isha një punëtor i thjeshtë. Ja dhe shkresa që më dha në dorë”, – pohon ai ndërsa na tregon një letër që në krye të saj shënon Bashkia e Tiranës. “Mbështetur në rregulloren “për organizimin, funksionimin, detyrat dhe kompetencat e administratës së drejtorisë nr. 3 të punëtorëve të qytetit”, miratuar me vendim të këshillit bashkiak nr. 31, datë 01.07.2014… si dhe bazuar në kontratën individuale të punës urdhëroj: Të ndërpriten marrëdhëniet e punës me zotin Zydi Hasaj, me detyrë bojaxhi pranë drejtorisë nr. 3 të punëtorëve të qytetit, Bashkia Tiranë. Arsyeja e largimit nga puna është përfundimi i kontratës individuale të punës. Të ndërpriten marrëdhëniet financiare në datë 05.02.2012. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet zyra e personelit, juristi dhe sektori ekonomik. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, -përfundon shkresa e firmosur nga përgjegjësi i zyrës së personelit në bashkinë e kryeqytetit, Neritan Kokomiri, jurisja Arlinda Pogaj dhe drejtori Alfons Meça. Zoti Hasaj ndërsa na tregon shkresën pohon se përveçse tashmë ka mbetur i papunë vijon të jetë i papaguar për 3 muaj që ka punuar si punonjës sezonal. “I kam kërkuar lekët e mia, por akoma nuk i kam marrë. Kam punuar 6 muaj në të zezë, kurse tani nuk kam më asnjë punë. Qiramarrësi më kërkon lekët se jam me qira. Dua të takoj ministrin të gjej një punë”, – shprehet ai. 

Zyrat e deputetëve, çdo fundjavë takime në zonë

Deputetët e Partisë Socialiste ishin të parët që nisën të zbatojnë urdhrin e Kryeministrit Edi Rama për të zhvilluar takime me elektoratin. Sipas porosisë së veçantë të dhënë dhe të ripërsëritur dhe publikisht nga Rama, ligjvënësit socialistë kanë ngritur tashmë zyrat e tyre në zonat ku janë zgjedhur, ku kryesisht në fundjavë zhvillojnë takime me qytetarët. Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, që kryesonte listën e kandidatëve për Tiranën, vijon çdo të mërkurë dhe të premte takimet në zonën e tij në Njësinë Nr. 5 në kryeqytet. “Në Njësinë 5 vazhdojnë takimet me organizatat e Partisë Socialiste. Ju faleminderit të gjithëve, sidomos ata që presin deri në orët e vona. Lista është e gjatë dhe tregues i një pune të palodhur në familjen e Njësisë 5. Nga muaji shtator çdo qytetar i Njësisë 5 ka pasur dhe ka dyert e hapura, çdo të mërkurë pas orës 5-së në zyrën e Partisë Socialiste tek Rruga “Komuna e Parisit” dhe çdo të premte pas orës 10 tek zyrat e Njësisë Bashkiake. Takimet mbyllen kur është takuar edhe qytetari i fundit”, – shkruan deputeti Majko në postim e tij në Facebook. Ndërsa deputeti i Librazhdit, Taulant Balla i zhvillon takimet çdo ditë të shtunë. “Çdo ditë të shtunë, pritje me popullin në zyrën time në Librazhd. Problematikat e shumta që ngrenë qytetarët do të ndiqen me përparësi”, – shkruan ai në Facebook. Alfred Peza, i zgjedhur për herë të parë si deputet, i fakton takimet me qytetarët në zonën e tij, duke publikuar foto në Facebook. “Jam i lumtur të njoftoj se mbajta premtimin që familja e Blerim Tabakut në komunën Shezë të Peqinit, ta kalojë Vitin e Ri 2014 në shtëpinë e re që i ndërtova me ndihmën e biznesit. Një atmosferë e jashtëzakonshme, ku festoi i gjithë fshati, nga fëmijët e deri te pleqtë. Një familje, pas 2 vjetësh jetese mesjetare në çadër, Rilindi”, – shkruan Peza në një nga këto postime./shekulli/