Lajme Shqip Sunday, 05 February 2012 14:00

Mynih -Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në Mynih prej ditës së djeshme në kuadër të punimeve të Konferencës së 48-të të Sigurisë, zhvilloi një takim me zëvendësministrin e Jashtëm të Izraelit, z. Daniel Ayalon.

Në takim u bisedua rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe veprimeve konkrete të nevojshme për të konkretizuar drejtimet e bashkëpunimit në të gjitha fushat, të cilat u diskutuan gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Izrael.

Theks i veçantë iu vu thellimit të marrëdhënieve ekonomike mes të dy vendeve. Kryeministri Berisha ritheksoi fushat me interes dypalësh, ku investitorët izraelitë janë të mirëpritur, si energjia e rinovueshme, bujqësia, turizmi, shkenca, etj.

Ayalon nënvizoi se forcimi i marrëdhënieve dypalëshe merr një rëndësi të madhe në kushtet e zhvillimeve ndërkombëtare dhe veçanërisht atyre ekonomike dhe se Izraeli u jep një peshë të veçantë, bazuar në marrëdhëniet historike mes dy popujve, por edhe interesat strategjikë të përbashkët. Hapja e ambasadës së izraelit në Shqipëri do të kontribuojë në mënyrë thelbësore në këtë drejtim.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajonin e Mesdheut dhe sfidat që ato paraqesin. Të dy bashkëbiseduesit ndanë qëndrimin se rruga e demokratizimit është rruga më e sigurt dhe e qëndrueshme për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Në këtë kuadër, Europa mund të ndihmojë në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, në interesin më të mirë të popujve të rajonit. (LajmeShqip.com)