Lajme Shqip Tuesday, 03 September 2013 14:08

Tiranë-Sulmi i ndodhur në ka mpin Ashraf në Irak, ku humbën jetën 52 persona, ka sjellë reagimin e muxhahedinëve iranianë, të cilët janë të strehuar në Qendrën Kombëtare Pritëse të Azilkërkuesve në Tiranë. Përmes një prononcimi, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Ha.Gh., një prej pjesëtarëve të grupit të mbërritur tashmë në Shqipëri, njëkohësisht përfaqësues i Këshillit Kombëtar të Rezistencës në Iran, kërkon ndihmë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Ai shprehet se vetëm SHBA mund të ndalojë sulmet e përgjakshme, që sipas tij janë kryer nga ushtarakët irakianë e që po u marrin jetën të afërmve të tyre. “Ne kemi pranuar të vijmë në Shqipëri, por familjet tona janë ende atje. Fillimisht duam të tregojmë masakrën që po ndodh atje me familjet tona. Ndërkohë që, shpresa jonë e vetme është që t’u bëjmë thirrje Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe ambasadorit që të ushtrojnë fuqinë e tyre për të ndalur këto sulme.

Vetëm SHBA ka fuqinë për t’i ndalur, ajo mund të influencojë për ta bërë këtë. Ata duhet t’i ndalin tani”, – shprehet Ha.Gh., i cili, ndonëse na jep emrin e tij të plotë, së bashku me kartën e identitetit, na lutet të mos e publikojmë emrin e plotë dhe fotografinë e tij. Sipas tij, kjo mund të përbëjë rrezik për jetën dhe për familjarët e tij, që ndodhen të strehuar në kampin Ashraf. Ndërkohë që, i pyetur në lidhje me arsyet që e kanë çuar atë, së bashku me dy përfaqësues të tjerë të grupit, të ndërmarrin këtë iniciativë, ai shprehet se kjo është një mundësi për të ndihmuar të afërmit dhe miqtë e tij.

“Ne nuk jemi të sigurt se kjo do të ndalë realisht këto sulme të përgjakshme, por publikimi i të vërtetave që po ndodhin atje, është e vetmja gjë që ne mund të bëjmë. Të paktën ne po e provojmë këtë, pasi dëshirojmë të ndihmojmë shokët dhe familjarët tanë”, – shprehet Ha.. Së bashku me deklaratën e tij, muxhahedini na vë në dispozicion edhe një sërë materialesh e fotosh, mbi sulmin e datës 1 shtator. Janë foto të ardhura nga njerëzit që mundën t’i mbijetojnë masakrës, ndërsa pamjet që ato ofrojnë janë tragjike. Plumbat, përveç burrave e të moshuarve nuk kanë falur as gratë. Në foto shihen qartë se si u është marrë jeta, duke u qëlluar me një plumb të vetëm në ballë, ndërsa të tjerë janë rreshtuar e janë bërë gati për ekzekutim. Gjithashtu, masakra nuk ka kursyer edhe persona, të cilët në momentet e sulmit kanë qenë në klinikën e kampit për kurim, ndërsa janë ekzekutuar nga sulmet e ushtarëve. Teksa komenton fotot, Ha.Gh. dallon edhe mikun e tij, i cili për fat të keq nuk ka mbijetuar. Me lot në sy, ai shprehet se ai ishte miku i tij më i mirë, ndërsa nuk harron të na kujtojë edhe një herë se vetëm SHBA mund t’u japë fund këtyre vrasjeve./bw/