Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 16:00

Prishtinë – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se situata aktuale në Kosovë mund të zgjidhet më një marrëveshje politike që do të shmangte zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Mustafa tha se Lidhja Demokratike do të bojkotojë sërish procesin e zgjedhjes së presidentit nëse partitë në pushtet nuk merren vesh me opozitën, por hedh poshtë çdo mundësi të pjesëmarrjes së partisë në pushtet.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, theksoi se partia e tij është e gatshme të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme, duke i konsideruar ato si zgjedhje demokratike dhe theksoi se nuk është LDK-ja ajo që inicion këtë proces ose që shkakton shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Mustafa tha se nuk mërzitet shumë se është akuzuar nga pushteti për shkelje të kushtetutës me mospërmbushje të detyrimeve të deputetëve për të qëndruar në sallë, pasi, sipas tij, “këtë e ka thënë zoti Thaçi, sepse ai e interpreton në mënyrën e vet vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Ndërkaq, i pyetur që ta vlerësojë situatën në të cilën gjendet Kosova si dhe nëse vendi po shkon drejt zgjedhjeve apo megjithatë, mund të gjendet një zgjidhje brenda kësaj periudhe, kryetari Mustafa është shprehur i bindur se zgjidhja mund të gjendet. Mirëpo, ai ka mohuar që në këtë zgjidhje të jetë e përfshirë LDK-ja në pushtet.

I pari i LDK-së është shprehur i gatshëm që të takohet me kryeministrin Thaçi dhe të tjerët për t’i diskutuar të gjitha këto çështje,  Ai ka thënë gjithashtu se nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, dialogu me Serbinë do të ndërpritet sepse, sipas tij, “ata që janë duke zhvilluar dialog nuk do të kenë mandat që ta zhvillojnë këtë më tutje”.