Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 09:30

Prishtinë -Qytetarët në veri të Mitrovicës duhet të trajtohen njëlloj si të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa gjatë një konference për shtyp.

Sipas tij, “gjendja në veri të vendit vijon të jetë shumë e rëndë, me mungesë të plotë të sundimit të ligjit, cënim të sovranitetit, mosrespektim të Kushtetutës e ligjeve të Kosovës, ndërsa qeveria dhe institucionet përkatëse të vendit nuk po bëjnë asgjë dhe thuajse kanë harruar se ekziston ky problem, i mbetur vetëm në duar të KFOR-it”.

Nga ana tjetër, shtoi Mustafa, “qeveria ka vijuar, pa asnjë platformë dhe pa axhendë, madje pa listë temash dhe pa rend dite, takimet dhe bisedimet me Serbinë për çështje shumë të ndjeshme, që prekin Kushtetutën dhe sovranitetin e pranuar ndërkombëtar të Kosovës”.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare kosovare tha se LDK-ja do të vijojë të punojë që të gjithë qytetarët e vendit të ndihen dhe trajtohen të barabartë.

“Këtë ua ofrojmë edhe qytetarëve të pjesës veriore të Mitrovicës. Ata nuk mund të marrin më shumë se sa që kanë qytetarët e tjerë, por nuk do të mbesin asnjë hap prapa qytetarëve të tjerë. Çdo tentim dhe kërkesë për një zgjidhje tjetër, për LDK-në është i papranueshëm”, theksoi Mustafa. (LajmeShqip.com)