Lajme Shqip Saturday, 12 September 2015 12:09

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka dhënë sqarime në lidhje me vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetet joshumicë të Kosovës dhe raportin e kësaj çështjeje me formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook, thotë ta ketë kundërshtuar vazhdimin e këtyre vendeve sa ka qenë në opozitë, ndërsa thotë se edhe sot, pavarësisht çmimit, do ta kundërshtonte një gjë të tillë.

Lexojeni të plotë postimin e Mustafës në Facebook:

“Është e vërtetë e pamohueshme se unë dhe LDK në mandatin e kaluar, sa ishim në opozitë, kemi kundërshtuar vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk jam penduar për këtë, dhe edhe sot do të kundërshtoja, me çdo çmim. Sepse, është e pa arsyeshme që të ngushtohen vendet për deputet të subjekteve shqiptare në Kuvend dhe të zgjerohen edhe më tutje për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë. Konsideroj, po ashtu, se nuk ka çmim i cili e arsyeton dëmtimin e përfaqësimit në organin më të lart legjislativ. Është e qartë se komunitetet joshumicë, tani me vende të garantuara janë pozitivisht të diskriminuara, gati dyfish në krahasim me pjesëmarrjen në popullsi. Prandaj, ndihem i nderuar në qoftë se dikush edhe më tutje vazhdon të më fajësoj se nuk jam pajtuar. Nuk do të pajtohem as sot të bëj pazar me vendet në parlament.

Sa i përket transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur, për mua ka qenë dhe është e pajustifikueshme që të ndërlidhet me kontekstin e vazhdimit të vendeve të rezervuara. Sepse këto vende nuk mund të afatizohen. Ajo që ndryshohet në Kushtetutë me dy të tretat e dyfishta, nuk mund të ndryshoj në të ardhmen pa të njëjtin parim. Së fundmi kjo do të na shtynte në një cikël të kushtëzimeve, nga i cili vështirë se do të gjenim rrugëdalje.

Ndërkaq, pavarësisht propagandës që po bëhet, unë jam duke punuar shumë me të gjithë për të gjetur zgjidhje për transformimin e FSK-së. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të kaluara i kemi pasur pesë takime me partner të koalicionit dhe faktorët ndërkombëtar dhe me strukturat më të larta të FSK-së për të gjetur zgjidhje.

Ne do të punojmë shumë për avancimin e të drejtave të popullatës joshumicë në vendin tonë, dhe jemi kampione në ofrimin e këtyre të drejtave, por Forcat e Armatosura janë forcë e të gjithë qytetarëve tanë, prandaj pres bashkëpunim dhe marrje të përgjegjësive edhe nga përfaqësuesit e partive joshumicë në Kuvend”, (sic.), ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/