Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 14:16

Prishtinë – Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe njëheresh kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka akuzuar Policinë e Kosovës, e cila sipas tij, përmes njerëzve të SHIK-ut është duke bërë shantazhe politike dhe duke dërguar në vazhdimësi forca policore kinse për hetime për krime ekonomike brenda Komunës së Prishtinës.

Metodat e përdorura nga Departamenti i Policisë për Krime Ekonomike, ndaj disa zyrtarëve komunalë, Mustafa i krahason me ato të UDB-së.

Sipas kreut të Komunës së Prishtinës, njerëzit e SHIK-ut janë transferuar brenda institucioneve vendore, duke marrë rolin e “ngulfatjes së shtetit përmes krijimit të një shteti policor”.

Ai ka thënë se do t’iu bëjë thirrje të gjitha strukturave udhëheqëse që të hetojnë Komunën e Prishtinës, por jo me mënyrën e sjelljes si deri më tani.

Për më tepër, kryetari i Komunës së Prishtinës ka bërë të ditur se dorëheqja e Qazim Qunakut nga posti i drejtorit të Inspeksionit të Komunës së Prishtinës nuk ka të bëjë me këto hetime dhe se dorëheqja ka ardhur nga mosgatishmëria e tij për ta mbajtur këtë post.

Ndryshe që pas kësaj dorëheqjeje postin e drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit e ushtron Muhamet Gashi, zëdhënës i Kuvendit Komunal të Prishtinës.