Lajme Shqip Monday, 10 August 2015 14:21

A ka filluar revanshi politik i kryeministrit Mustafa ndaj kryetares së Gjakovës, Kusari Lilës? Kjo pyetje është bërë mes rreshtash sot, nga vet kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, në emisionin “Dukagjini sot” në RTV “Dukagjini”.

Kryetarja e Gjakovës, Kusari-Lila e ftuar për të shpalosur të arriturat dhe sfidat me Gjakovën, ka drejtuar kritika për Qeverinë e Kosovës e cila sipas saj, lë shumë për të dëshiruar sa i përket mbështetjes për Gjakovën.

“Janë projekte që në tërësi kapin shifrën mbi 46 milionë euro e të cilat kryesisht vijnë nga BE dhe institucione ndërkombëtare për komunën e Gjakovës, të cilat nuk kanë marrë mbështetjen bazike qeveritare në asnjë rast. Edhe pse këto shifra nuk është kërkuar që t’i ndajë qeveria për ne, të paktën ne kemi pasur nevojë për rolin e qeverisë dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka thënë Kusari Lila.

Kusari–Lila, si argument për këto kritika ka theksuar edhe rastin e sotëm të vizitës së Kryeministrit Isa Mustafa në Gjakovë, për ç’gjë ajo është informuar nga mediat, transmeton KP.

“Ja shembulli, unë duke ardhur në Pejë e dëgjova në radio se kryeministri sot qëndron në Gjakovë. Kjo nuk na bënë mirë. Në të gjitha komunat ku qeverisë LDK, Mustafa është shoqëruar nga kryetarët përkatës. Mendojë se duhet ulur logot partiake sepse Gjakova është ajka e një pjese të mirë të Kosovës dhe edhe kryeministri ka nevojë për Gjakovën”, ka përfunduar Kusari Lila.