Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 10:16

Tiranë-Lugina e Preshevës përmes rrugëve paqësore do të synojë të bëhet pjesë e shtetit të Kosovës. Këtë e ka theksuar kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa në një intervistë televizive. 

“Ne synojmë të bëhemi pjesë e saj, jo përmes dhunës apo luftrave, por duke shfrytëzur metodat e paqes dhe parimit të vetëvendosjes. BE dhe aktorët e tjerë besoj se do të nxisin dialogun në favor të stabilitetit në vend. Ne jemi nën qeverisjen e Serbisë, pavarësisht se 97% e popullsisë janë shqiptarë. Problematikat janë numerike, por Kosova dhe Shqipëria kanë treguar se janë të interesuara për mbarëvajtjen atje. Në kuadër të 100- vjetorit të pavarësisë mendoj se po fillon një erë e re që bashkon shqiptarët në ekonomi dhe biznes. Aktiviteti i mbajtur në 17 shkurt për javët kombëtare të biznesit, një projekt që synon promovimin e biznesit dhe produkteve shqiptare e që merr jetë në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ishte shumë rezultativ dhe do të mbarojë në të njëjtën datë të tetorit që vjen. Urat e bashkëpunimit në biznes janë një nga synimet, presim ngjarje të tjera edhe në arsim, kulturë. Kohët e errëta kanë mbaruar me komunizmin”, ka theksuar Mustafa, i cili është drejtues i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në Luginën e Preshevës.

Ai ka folur mbi pjesëmarrjen e partisë që drejton ai, në zgjedhjet lokale të 6 majit në Serbi. Sipas tij, PDSH është kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare që janë caktuar për të njejtën datë. (LajmeShqip.com)