Lajme Shqip Wednesday, 02 September 2015 08:08

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për qeverisjen e të cilit si kryetar komune në Prishtinë lëvizja “Vetëvendosje” kishte ngritur dyshime për keqpërdorime, duke dorëzuar vitin e kaluar mbi 70 dosje në Prokurori, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës tash po kërkon zbatim të ligjit ndaj të gjithë zyrtarëve të dyshuar për keqpërdorime në Qeveri.

Burime të gazetës kanë treguar se kryeministri ka kërkuar nga kabineti i tij qeveritar që të suspendojnë të gjithë zyrtarët për të cilët dihet apo kuptohet se janë nën hetime për vepra penale që lidhen me funksionin e tyre në Qeveri, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këtë kërkesë të kryeministrit njohës të çështjeve ligjore më tepër e shohin si veprim politik se sa vullnet për të vendosur drejtësi. Ndërsa shoqëria civile e vlerëson si veprim të duhur.