Lajme Shqip Tuesday, 29 April 2014 14:03

Kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend, LDK-së, Isa Mustafa, u ka bërë thirrje partive politike që të bashkohen për të zhbllokuar ngërçin politik e institucional.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka kërkuar nga partitë politike marrëveshje për shpërbërjen e Kuvendit në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje.

‘ LDK u bën thirrje partive tjera opozitare, por edhe koalicionit aktual qeverisës të bashkohen për ta gjetur zgjidhjen. Zgjidhja është shpërndarja e Kuvendit të Kosovës dhe caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Prandaj, për ta zhbllokuar ngërçin politik e institucional, LDK i fton të gjitha partitë të vihen mbi interesat e ngushta personale e partiake. Shpërndarja me marrëveshje e Kuvendit dhe konsensusi për datën e zgjedhjeve, është parakusht për zgjedhje fer dhe demokratike”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Më tutje Mustafa ka thënë se, LDK do të votojë për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. “Ne garantojmë votat tona dhe kërkojmë nga të gjitha partitë tjera, përfshirë edhe koalicionin qeverisës aktual, pa kushte, ta votojnë themelimin e Forcave të Armatosura sa më shpejt që të jetë e mundur.”, ka thënë Mustafa.