Lajme Shqip Friday, 18 September 2015 08:01

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka reaguar lidhur me shkrimet në media se emërimi i dy personave në pozita editoriale në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) është bërë në marrëveshje me Kryeministrin dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Ai këto shkrime i quan të pavërteta.

Lexoni të plotë reagimin e kryeministrit Mustafa

“Në portale është publikuar një “lajm”, sipas të cilit, emërimi i dy personave në pozita editoriale në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) është bërë në marrëveshje me Kryeministrin dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Kjo është një e pavërtetë e madhe. Të tilla, çfarë për fat të keq po lexojmë, dëgjojmë e shikojmë shpesh.

Përpjekjet për ta lidhur LDK-në dhe mua si Kryetar i saj dhe Kryeministër i Kosovës me zhvillime të tilla në RTK janë tendencioze. As unë, as stafi im dhe askush në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka kërkuar emërimin e asnjë emri të përveçëm në pozita editoriale. Si kryeministër i Kosovës, mbetem i përkushtuar për ta mbështetur depolitizimin e transmetuesit publik dhe shndërrimin e tij në një shërbim cilësor për tërë publikun kosovar.

Politika editoriale e RTK-së nuk duhet të jetë e LDK-së dhe në interes të saj por as kundër LDK-së, sikurse edhe kundër asnjë subjekti tjetër. Ajo duhet të jetë e balancuar, të zbatoj kritere profesionale dhe të krijojë hapësirë të paanshme për të gjithë, ndërkaq qeverisja dhe menaxhimi të ushtrohen me mbikqyrje parlamentare, ashtu siç e parasheh ligji”.