Lajme Shqip Monday, 14 January 2013 11:13

Mitrovicë – Rruga nga fshati Dragalicë, që të çon në Babiq, në veri të Kosovës, është bllokuar për automjete komerciale. Me urdhër të komandantit të KFOR-it, grupi shumëkombësh i betejës – Lindja ka vendosur gjashtë pengesa të betonit në këtë rrugë të Zubin- Potokut, raporton KTV-ja.

Javë më parë një kamion serb me naftë që po shfrytëzonte këtë rrugë, është rrokullisur dhe ngarkesa ishte derdhur në liqenin e Gazivodës. Në këtë mënyrë të gjitha automjeteve më të rënda se 1 ton, u është bllokuar qarkullimi.  Të gjitha automjetet komerciale tash e tutje do të kthehen mbrapa dhe nuk do t’u lejohet qarkullim në këtë pjesë.

Gjendje e ngrirë e pa ndryshime vazhdon në veri. Megjithëse, pikat kufitare atje janë të hapura, rrugët për të arritur vazhdojnë të jenë të bllokuara. Vetë doganierët e Kosovës dhe të EULEX-it dërgohen me helikopter në vende pune.(LajmeShqip.com)